Kurti: Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti

24 dhjetor 2021 | 10:29

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se po përfundon një vit sfidues për të gjithë.

“Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh. E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektorë, kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu”, ka theksuar kryeministri Kurti.

“Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë”.
“Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj”, ka deklaruar Kurti.

Postimi i plotë i tij:

Në 9 mujorin e marrjes së detyrës, dje, mbajtëm mbledhjen e 50-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e parafundit për vitin 2021.
Po përfundon një vit sfidues për të gjithë ne. Pandemia ka rënduar mbi supet e secilit prej nesh. E derisa mbyllim këtë vit me shumë arritje në shumë sektorë, kujtojmë që për shumë qytetarë të cilët me dekada janë harruar nga politika, jeta mbetet ende e vështirë. Prandaj edhe nuk harrojmë dot arsyen se përse ne jemi këtu.
Nuk harrojmë dot qëllimin e rrugëtimit që kemi filluar nga 14 shkurti për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më të barabartë.
Ndonëse ndodhemi në një krizë të vështirë energjetike globale, do të bëjmë gjithë çka mundemi e krejt çka dimë të dalim me sa më pak humbje e dëme prej saj.
Ndamë 4.500.000€ mbështetje për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, për pagesën e faturave të energjisë elektrike për familjet në nevojë.
Për të mundësuar operimet pa pengesa, miratuam kërkesën e KOSTT-it për kthimin e dividendës për këtë vit nga ana e Qeverisë, në mënyrë që të ketë likuditetin e nevojshëm.
Ndamë 3.000.000€ mbështetje për shëndetësinë, për të mbuluar obligimet në kuadër të fondit për trajtim jashtë institucioneve publike.
Mbështetje shtesë për arsimin, me 4.110.000€ të ndara për mbulimin e obligimeve për librat në shkollat fillore dhe 86.243€, për pagesën e obligimeve për zhvillimin e mësimit online në kohë pandemie.
Për ringjalljen e fshatit përmes bujqësisë dhe agro-turizmit, ndamë 2.500.000€, miratuam Strategjinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2022-2028, si dhe Strategjinë për Zhvillimin e Pylltarisë 2022-2030.
Miratuam dhe proceduam për në Kuvend tetë projektligje.
Për mbrojtjen e shëndetit publik, miratuam Strategjinë shtetërore për parandalim, menaxhim dhe kontrollim të pandemisë COVID-19, dhe projekt-rregulloren për Emergjencat dhe Monitorimin Radiologjik.
Kursimet janë në shumë prej 19.060.303€ dhe e njejta vlerë është ndarë për të siguruar pagesën e pensioneve për muajin dhjetor, si dhe shlyerjen e obligimeve financiare të trashëguara nëpër organizata buxhetore të ndryshme.
Një vit i ri e një dekadë e re shtrihet para nesh. Le të shtyjmë vetën përpara duke u bërë shembull për fëmijët tanë. Qeveria që kemi zgjedhur nuk heq dorë nga suksesi. Unë nuk heq dorë nga ndryshimi të cilin e kemi filluar.
E ardhmja jonë është e ndritshme e rrugëtimi ynë është i përbashkët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, thotë se është me…