Kërkohet miratimi i Ligjit për personat e zhdukur

30 dhjetor 2021 | 15:20

“Zoti i dënoftë se drejtësia po vonon” është mesazhi i familjarëve të të pagjeturve para obeliskut për të zhdukurit.

Drejtësi është kërkuar edhe për foshnjat të cilat janë vrarë dhe masakruar në djep gjatë luftës në Kosovë. Tetë persona të shoqatës “Zëri i Prindërve” kanë vdekur pa pasur asnjë informacion për fatin e më të dashurve të tyre.

Nga kjo shoqatë kanë vlerësuar se është turp që ende në morgun e Prishtinës nuk janë të identifikuara afër 300 mbetje mortore dhe se ende nuk është miratuar Ligji për personat e zhdukur.

Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka theksuar se edhe gjatë këtij viti nuk ka arritur të zbardhet fati i personave të pagjetur, gjë që është premtuar vazhdimisht.

Ai ka paraqitur edhe pesë kërkesat e tij si baba i një të zhdukuri, duke bërë apel që bashkësia ndërkombëtare ta përkrahë Kosovën më shumë se Serbinë.

Ndërsa kryesuesi i Komisionit të Personave të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk duhet të ketë asnjë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

“Zoti i dënoftë përnime ata që na i kanë bërë tërë këto. Të njëjtën vuajtje që e keni ju e kemi edhe ne. Të njëjtën vuajtje që e kanë secili familjarë këtu e kanë edhe 1 617 familjarë të tjerë dhe ende sot pas 22 viteve vuajtje, çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet e politizuar dhe vazhdon të bëhet krim i dyfishtë dhe trefishtë duke mos treguar se ku janë nëse jo gjallë, eshtrat e tyre. Baca Bajram i pat disa kërkesa, të njëjtat i kemi edhe ne dhe pajtohem me ato kërkesa. Janë mbajtur dy takime gjatë këtij viti dhe janë të njëjtat kërkesat që i tha baca Bajram, që i kemi adresuar Bruksel. Ne e dimë që Serbinë nuk mundemi me shti me zor, shyqyr që e kemi larguar prej këtij vendi. Prandaj, ka qenë e vazhdueshme thirrja jonë e familjarëve që bashkësia ndërkombëtare jo vetëm të rrit presionin por edhe të kushtëzojë Serbinë”, ka thënë ai.

Edhe ai ka përmendur 300 mbetjet mortore që janë të paidentifikuara në morgun e Prishtinës. Sipas tij është turp për institucionet ndërkombëtare që nuk kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë, por që shpreson që kjo çështje të përmbyllet në vitin e ardhshëm.

“Ligji për personat e zhdukur është në Ministrinë e Drejtësisë dhe më kanë premtuar që shumë shpejt do të kalojë. Në Ligjin për personat e zhdukur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e familjarëve, plotësohet kërkesa e tyre për të ditur, plotësohet kërkesa e trajtimit më të mirë të familjarëve por nuk plotësohet kërkesa e familjarëve që është plotësisht e drejtë e pensioni. Është turp që është mohuar me ligj familjarëve të personave të zhdukur dhe jo vetëm e drejta e pensionit të moshës dhe janë obliguar të zgjedhin mes asaj dhe në mes të pensionit të moshës”, ka shtuar ai.

Sa i përket dialogut, Hoti ka theksuar se janë duke pritur që Serbia të reflektojë në raport me bisedimet me Kosovën dhe që Veljko Odalloviq të mos jetë kryetar i delegacionit të Serbisë. /Ksp/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Iliri është një nga banorët më të vjetër të shtëpisë…