Ngjarjet më karakteristike në Kosovë në vitin 2021

31 dhjetor 2021 | 16:17

Viti 2021 ka qenë vit zgjedhor në Kosovë. Janë mbajtur dy palë zgjedhje, parlamentare dhe komunale. Në zgjedhjet parlamentare Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese bindëse, duke marrë mbi 50 për qind të votave, ndërsa në ato lokale ka ndodhur ajo që shumë pak njerëz e kanë pritur.

Në zgjedhjet e 17 tetorit dhe 14 nëntorit, Vetëvendosje ka arritur të fitojë në vetëm katër komuna. Suksesin më të madh në zgjedhjet lokale e kanë shënuar LDK-ja dhe PDK-ja duke fituar nga tetë komuna, e pasuar nga AAK-ja me pesë komuna. Krahas zgjedhjeve, në LDK dhe PDK kanë ndodhur ndryshime në lidershipin e tyre, shkruan “Epoka e re”.

Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetar i LDK-së, ndërsa Memli Krasniqi kryetar i PDK-së.

Po ashtu, në vitin 2021 kanë ndodhur edhe shumë ngjarje të tjera. Ballafaqimi me pandeminë ka qenë sfida kryesore, ku gjatë verës ka pasur një numër të madh të vdekjeve nga Covidi.

Kushtetuesja shpall aktgjykimin për qeverinë Hoti

6 janar – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me votimin e Qeverisë së Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti. Në këtë mënyrë është hapur rruga për caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre nga presidenti. Në aktgjykimin prej 65-faqesh, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar rrëzimin e qeverisë Hoti, duke vlerësuar se vota e deputetit Etem Arifi, që ishte i dënuar me vendim të prerë gjyqësor, ishte e pavlefshme.

Osmani cakton datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

6 janar – Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me dekret presidencial ka caktuar 14 shkurtin datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kam marrë vendim t’i shpall zgjedhjet dhe ta caktoj 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme. Me këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është thënë në dekretin e Osmanit.

Kurti dhe Osmani garojnë bashkë në zgjedhje

14 janar – Ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kanë nënshkruar të enjten listën e përbashkët për garën në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë. Sipas kësaj marrëveshje, Kurti do të jetë kandidat për kryeministër, ndërkaq Osmani kandidate për presidente të vendit. “Presidentja në detyrë dhe unë, ish-kryeministri, me subjektet tona politike do të na gjeni në të njëjtën vend dhe për të njëjtën qëllim. Kemi bërë marrëveshjen e parimeve dhe synimeve politike të cilën sapo e nënshkruam këtu para jush”, ka deklaruar Kurti pas arritjes së kësaj marrëveshje, e cila është nënshkruar në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Albin Kurtit dhe 46 kandidatëve u ndalohet të garojnë në zgjedhje

20 janar – Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konstatuar se 47 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 14 shkurtit nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. KGjK-ja dhe as KQZ-ja nuk kanë treguar emrat e kandidatëve, por burimet e gazetës kanë treguar se bëhet fjalë për liderin e LV-së, Albin Kurti dhe katër kandidatë të tjerë të kësaj partie. I njëjti burim ka thënë se ndalohen të kandidojnë në zgjedhje edhe një kandidat i LDK-së, një i PDK-së, tre të AAK-së dhe 12 kandidatë të Nismës. Këta kandidatë kanë të drejtë ankese në PZAP dhe Gjykatë Supreme.

Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

14 shkurt – Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas rezultatit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 50.28 për qind apo 438 mijë e 335 vota, PDK-ja 148 285 vota apo 17 për qind, LDK-ja ka 110 985 vota apo 12.73 për qind, AAK-ja 62 111 vota ose 7.124 për qind. Nga kjo përqindje, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë ulëse.

Pas rezultatit të dobët të LDK-së në zgjedhje, Mustafa jep dorëheqje

15 shkurt – Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka konfirmuar para medieve se ka ofruar dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së. Mustafa ka thënë se rezultati i zgjedhjeve ka qenë shumë i keq për LDK-në. “Unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri në një periudhë të shpejtë kohore. Me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë, mirëpo unë do ta bëj më shpejt”, ka thënë Mustafa.

Lumir Abdixhiku, kryetar i ri i LDK-së

14 mars – Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zgjedhur të dielën Lumir Abdixhikun kryetar të ri të kësaj partie. Ai ka marrë 191 vota të 328 delegatëve të këtij Kuvendi. Në këtë garë me vota të fshehta, Abdixhiku e ka mposhtur nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka marrë 116 vota dhe anëtarin e kryesisë të kësaj partie, Besian Mustafa, i cili ka marrë vetëm 16 vota. Ndërsa kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni, ka hequr dorë nga kandidatura e tij për kryetar pak para fillimit të Kuvendit Zgjedhor.

Votohet “Qeveria Kurti 2”

22 mars – Ditën që janë betuar deputetët e legjislaturës së tetë kanë konstituuar Kuvendin, kanë zgjedhur kryeparlamentar Glauk Konjufcën dhe nënkryetarët e rinj. Pas marrjes së detyrës, kryeparlamentari i ri, njëherësh ushtrues i detyrës i presidentit, Konjufca, nëpërmjet një letre i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje propozimin e mandatarit për kryeministër. Më pas kryesia e Kuvendit ka thirrur seancën dhe në orët e mbrëmjes deputetët e koalicionit qeverisës kanë votuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.

Vjosa Osmani zgjedhet presidente

4 prill – Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista “Guxo”, Vjosa Osmani Sadriu, është zgjedhur presidente e Kosovës. Osmani Sadriu u zgjodh presidente në raundin e tretë i cili ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë, ndërsa Osmani Sadriu ka marrë 71 vota për dhe 11 të pavlefshme, të nevojshme për kreun e shtetit. Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ia kanë bërë kuorumin Osmani Sadriut për t’u zgjedhur në postin e presidentes. Dymbëdhjetë deputetë të LDK-së kanë marrë pjesë në votim, duke përjashtuar tre deputetët: Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Driton Selmanaj të cilët nuk kanë marrë pjesë në votim. Deputetët Adem Hoxha, Fadil Gashi, Adelina Grainca (PDK), e cila tashmë ka kaluar në grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albena Reshitaj (AAK), kanë qenë vendimtarë për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente e Kosovës. Votimi i zgjedhjes së presidentit është bojkotuar nga Partia Demokratike e Kosovës, përjashto këtu deputeten Adelina Grainca, Listën Serbe, ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë pjesë vetëm deputetja Albena Reshitaj.

Petrit Ajeti emërohet drejtor i AKI-së

15 prill – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë emëruar Petrit Ajetin drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ajeti ka mbi 15 vjet përvojë pune në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë. Vetëm në gjashtë vjetët e fundit në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë pozitë në shkurt të vitit 2009.

Rama për herën e tretë fiton zgjedhjet në Shqipëri

25 prill – Partia Socialiste (PS) ka fituar për herën e tretë zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. PS-ja në zgjedhjet e 25 prillit ka fituar 74 mandate. Partia Demokratike ka marrë 59 vende në kuvendin e ri krahasuar me 46 që ka pasur në vitin 2017, kurse Lëvizja Socialiste ka pësuar humbje, pasi ka arritur të marrë vetëm katër mandate nga 19 që ka pasur në zgjedhjet e kaluara.

Sali Berishës dhe familjes së tij i ndalohet hyrja në ShBA

19 maj – Departamenti i Shtetit i ShBA-së ua ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të gjerë. Në deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhet se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Sipas DASh-it, ish-kryeministri shqiptar ka përdorur pushtetin e tij për përfitime dhe për t’i pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij. Rrjedhimisht, u është ndaluar hyrja në ShBA: Berishës, bashkëshortes së tij, Liri Berisha, djalit të tij, Shkelzen Berisha dhe vajzës së tij, Argita Berisha Malltezi.

Shkarkohen 12 ambasadorë

20 maj – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, ka liruar nga detyra 12 ambasadorë të emëruar mbi baza politike. Ajo ka thënë se një vendim i tillë përbën vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës. Ambasadorët e shkarkuar janë: Beqë Cufaj – Gjermani, Nait Hasani – Shqipëri, Arbër Vllahiu – Çeki, Lirim Grejqevci – Holandë, Shpend Kallaba – Hungari, Gezim Kasapolli – Kroaci, Avni Kastrati – Slloveni, Gjergj Dedaj – Maqedonia e Veriut, Hajdin Abazi – Australi, Ylber Hysa – Mali i Zi, Avni Arifi – Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti – Katar. Gjatë fundit të vitit 2021 MPJD-ja ka nisur emërimin e ambasadorëve të rinj në këto shtete.

Osmani shkarkon Valdete Dakën

14 qershor – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shkarkuar të hënën Valdete Dakën nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Në njoftimin e Presidencës theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Në vend të Dakës, Osmani ka emëruar Kreshnik Radoniqin.

Kurti takohet me Vuçiqin

15 qershor – Takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përfunduar pa ndonjë rezultat të martën në Bruksel. Udhëheqësit e të dy shteteve në këtë takim kanë paraqitur temat e tyre, duke mos u pajtuar për agjendën e dialogut të ardhshëm. Kryeministri Kurti ka thënë se në këtë takim ka paraqitur katër propozime të cilat nuk i janë marrë parasysh, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka thënë se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Kurti takohet me Macronin në Paris

23 qershor – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Pallatin Elysée nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Gjatë këtij takimi është biseduar për bashkëpunimin bilateral, përfshirë potencialin ekonomik dhe hapësirën për kompanitë franceze për investime në Kosovë, me theks përfshirjen e mërgatës sonë. Po ashtu, ata kanë diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe përparësitë e një qasje konstruktive nga të dyja palët.

Memli Krasniqi zgjedhet kryetar i PDK-së

4 korrik – Memli Krasniqi është zgjedhur të shtunën kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Krasniqi është zgjedhur në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën Zgjedhore të partisë. Në votim kanë marrë pjesë 476 delegatë. Vetëm shtatë ishin kundër. Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës së kryetarit, Krasniqi ka thënë se do ta çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetari Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së. Krasniqi ka thënë se do të bashkëpunojë me secilin anëtar dhe qytetar që dëshiron t’i bashkohet PDK-së.

Simmonsi jep dëshminë para deputetëve, nuk beson në Specialen

12 korrik – Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka drejtuar akuza të rënda ndaj Gjykatës Speciale dhe misioni EULEX. Në raportimin e tij para Komisionit për Legjislacion, ai Specialen e ka krahasuar me gjykatat në Rusi dhe Iran, duke thënë se nuk beson fare në drejtësinë e saj. Sipas tij, kjo gjykatë është njëetnike dhe synon t`i dënojë vetëm komandantët e UÇK-së. Misionin e EULEX-it ai e ka akuzuar edhe për korrupsion, joprofesionalizëm dhe ndikime politike. Para deputetëve, Simmonsi ka thënë se misioni i BE-së për sundim të ligjit synonte largimin e “peshqve të mëdhenj” nga skena politike.

Rreth 1 500 qytetarë të Deçanit helmohen nga uji i pijshëm

12 korrik – Rreth 1 500 qytetarë të Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë pas helmimit nga uji. Lajmin e ka dhënë kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, në një konferencë për medie. Ndërsa më 13 korrik komuna e Deçanit ka shpallur gjendje emergjente pas helmimit të mijëra qytetarëve.

Humbin jetën tragjikisht 10 qytetarë të Kosovës në Kroaci

24 korrik – Dhjetë persona kanë vdekur dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar të dielën pas daljes nga rruga të një autobusi me targa të Kosovës në autostradën afër Sllavonski Brodit në Kroaci. Në këtë autobus ishin 67 pasagjerë. Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur një ditë zie shtetërore.

Kosova vendos reciprocitet për targat me Serbinë

20 shtator – Kosova ka nisur aplikimin e masës së reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia. Aplikimi i reciprocitetit ka bërë që të shkaktohen tensione në veriun e Kosovës, ku serbët atje kanë bllokuar rrugët magjistrale, duke penguar lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Për disa ditë rrugët në veri kanë qenë të bllokuara, derisa Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka qëndruar në veri derisa është arritur marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia pajtohen për reciprocitet të targave

30 shtator – Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri. Marrëveshja parasheh reciprocitet në targa në mes të dy shteteve, duke ua mbuluar simbolet shtetërore. Sipas dokumentit trepikësh, njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet kufitare duhet të largohen bashkë me barrikadat. Qeveria e ka cilësuar fitore këtë marrëveshje, ndërsa opozita e ka kritikuar, duke thënë se qeveria e ka barazuar Policinë e Kosovës me barrikaduesit dhe ka dorëzuar sovranitetin te një palë e tretë. ShBA-ja dhe BE-ja e kanë mirëpritur marrëveshjen.

Vitia jep dorëheqje nga pozita e ministrit dhe humbet garën për Prishtinën

1 tetor 14 nëntor – Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për t’u përqendruar në garën për kryetar të Prishtinës. Këtë vendim ai ka thënë se e ka marrë në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje. Pavarësisht prej kësaj, ndonëse kishte dalë i pari në raundin e parë të zgjedhjeve (17 tetor) për kryetar të Prishtinës, ai ka humbur garën përballë Përparim Ramës së LDK-së më 14 nëntor. Pas zgjedhjeve në vend të Vitisë, Albin Kurti e ka emëruar Rifat Latifin, i cili është duke e drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Opozita fiton zgjedhjet lokale

17 tetor 14 nëntor – Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosjes ka fituar më së paku komuna, vetëm katër sosh. PDK-ja dhe LDK-ja kanë fituar nga tetë komuna, AAK-ja pesë komuna dhe Nisma Socialdemokrate një komunë. Vetëvendosja ka fituar në: Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime. PDK-ja ka fituar në: Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Vushtrri, Kaçanik dhe Han të Elezit. LDK-ja ka fituar në: Prishtinë, Pejë, Lipjan, Viti, Fushë Kosovë, Dragash, Istog dhe Junik. AAK-ja ka fituar në: Gjakovë, Rahovec, Suharekë, Deçan dhe Klinë. Nisma ka fituar në Malishevë. Në Obiliq ka fituar kandidati i pavarur Xhafer Gashi. Komunat e tjera janë fituar nga minoritetet.

46 viktima në aksidentin tragjik në Bullgari, shumica e tyre shqiptarë

23 nëntor – Maqedonia e Veriut dhe shqiptarët janë tronditur të martën nga lajmi për vdekjen e 46 personave nga djegia e një autobusi në autostradën Struma të Bullgarisë. Mësohet se viktimat janë shqiptarë, ndërsa në mesin e tyre janë edhe 12 fëmijë. Autoritetet bullgare dhe maqedonase kanë bërë me dije se shkaqet e aksidentit janë duke u hetuar. Dyshimet e para janë se zjarri ka shpërthyer pasi autobusi ka goditur parmakun mbrojtës të autostradës. Nga aksidenti kanë shpëtuar 7 persona, të cilët kanë arritur të largohen nga autobusi dhe gjendja e tyre është stabile. Për këtë aksident tragjik ka pasur reagime edhe nga liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë, të cilët janë shprehur të tronditur nga kjo ngjarje.

Mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive shqiptare

26 nëntor – Kosova dhe Shqipëria kanë vendosur të heqin një numër pengesash në mes të dy vendeve. Në mbledhjen e shtatë të përbashkët të dy qeverive, këto dy vende kanë nënshkruar 13 marrëveshje të tjera të cilat do ta mundësojnë lehtësimin e procedurës për marrjen e lejeqëndrimit, rregullimin e regjimit të trafikut lokal të kufirit, lehtësira në procedura doganore, kalendar të përbashkët kulturor dhe njohje të diplomave. Kryeministrat e të dy vendeve, Edi Rama dhe Albin Kurti, janë zotuar se do t’i largojnë të gjitha pengesat në mes të dy vendeve. Ata kanë nënvizuar se sfidë e përbashkët është rritja e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.

Vriten tre persona në Gllogjan

26 nëntor – Tre persona, në mesin e tyre dy nxënës shkolle, kanë mbetur të vrarë nga të shtënat në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra larg Prishtinës. Motivi i të shtënave nuk është ende i qartë, por Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se incidenti është akt terrorist. Lidhur me këtë rast, më 11 dhjetor, policia ka arrestuar tre persona.

Në krye të ushtrisë, nipi i Adem Jasharit

30 nëntor – Gjeneralmajor Bashkim Jashari është komandanti i ri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së). Emërimi i nipit të Adem Jasharit, komandantit legjendar të UÇK-së, në krye të ushtrisë së Kosovës, ka ardhur pas dorëheqjes të komandantit të deritashëm të FSK-së, Rrahman Rama. Ky i fundit nuk ka treguar për arsyen e dorëheqjes. Zyra e Presidencës ka bërë me dije se emërimi i komandantit të ri të FSK-së është bërë pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe pas rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Osmani merr pjesë në Samitin e Demokracisë

9 dhjetor – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Samitin e Demokracisë, i cili është organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Joe Biden. Në këtë samit Osmani ka thënë se Kosova për një kohë të gjatë ka luftuar regjimet autoritare dhe gjenocidiale. “Së shpejti Kosova do ta shënojë 14-vjetorin e pavarësisë, por regjimet autoritare dhe gjenocidale i kemi luftuar për një kohë shumë më të gjatë se kaq. Fillimisht, Kosova nuk ishte ftuar në këtë samit, por më vonë i është bërë ftesa.

ShBA-ja sanksionon kriminelët e veriut

9 dhjetor – Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit ka goditur grupin e biznesmenit serb Zvonko Veselinoviq, duke i vënë sanksione. Dhjetëra individë të këtij grupi akuzohen për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës për ta ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta. Një veprim i tillë i ShBA-së është përshëndetur nga spektri politik i Kosovës. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se personat e sanksionuar do të hetohen edhe nga drejtësia vendore.

Kuvendi miraton buxhetin e vitit 2022

17 dhjetor – Kuvendi i Republikës së Kosovës me 65 vota për ka miratuar buxhetin e shtetit për vitin 2022. Buxheti për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro. Sipas Qeverisë së Kosovës, ky buxhet siguron qëndrueshmëri të financave publike, ringjallje të ekonomisë dhe orientim drejt prodhimit vendor, përkrahje të punësimit, fuqizim të grave dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje të mirëqenies qytetare.

(Përgatiti Lirim Geci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Petrol Company për gjatë gjithë vitit zhvilloi lojën shpërblyese ku…