Më 15 janar ndezen qirinjtë në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Kosovë

10 janar 2022 | 20:34

Me rastin e ditës së përkujtimit të Gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” fton të gjithë shqiptarët që më 15 janar 2022 duke filluar nga ora 19:30 të bëjnë ndezjen e qirinjve në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, aktivistët e Qendrës do të bëjnë ndezjen e qirinjve.

“Ftohen qytetarët e Prishtinës që të bashkëngjiten në këtë aktivitet. Qytetarët e qyteteve tjera, me vetiniciativë mund ta bëjnë ndezjen e qirinjve në sheshin e qyteteve të tyre. Ata që nuk kanë mundësi të dalin në shesh, këtë ta bëjnë në ballkonet apo dritaret e tyre”, theksohet në njoftimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Po ashtu, kjo qendër ka ftuar të gjithë shqiptarët anekënd botës që në ora 19:30, sipas kohës së tyre lokale, ta bëjnë ndezjen e qirinjve në ballkone e dritare në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

“Lusim qytetarët që dalin në shesh që të kenë parasysh masat kundër pandemisë Covid-19 duke mbajtur distancën e duhur. Përkujtimi i viktimave të Gjenocidit në Kosovë është më e pakta që ne duhet të bëjmë në rrugëtimin për ngadhënjimin e drejtësisë dhe ndëshkimin e krimit! Me respekt për të gjitha viktimat dhe familjarët e tyre”, thuhet në njoftimin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka…