Pllana, te Prishtina: Kjo fanellë ka peshë të madhe

20 janar 2022 | 11:11

Skuadra e Prishtinës është përforcuar me futbollistin Bujar Pllana. Mbrojtësi iu bashkua kampionëve në fuqi të Superligës. Pllana është 20-vjeçar dhe luan në qendër të mbrojtjes si dhe mbrojtës i djathtë.

Ai së fundmi ishte pjesë e Feronikelit, ekip me të cilin u nda javë më parë, pas një stinori shumë të mirë në aspektin individual. Bujari, që është zhvilluar si futbollist te Trepça ’89, është pjesë edhe e Përfaqësueses së Kosovës U-21. Shtatlarti (1.87) është bashkuar me ekipin në fazën përgatitore në Antalia, me ç’rast e ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit.

“Prishtina është klubi i madh dhe më me traditë në futbollin e Kosovës, andaj paraqitja në këtë fanellë është nder i madh. Nuk kam menduar shumë kur më erdhi oferta për t’iu bashkuar ekipit, sepse për mua do të thotë shumë që ta bart fanellën e Prishtinës, e cila për çdo lojtar është me peshë të madhe”, ka thënë Pllana, i cili më pas ka folur edhe për synimet që ka me skuadrën kryeqytetase. Ai ka shprehur optimizëm se do të arrijë të fitojë një vend në formacionin bazë.

“Dua t’u premtoj trajnerëve, bashkëlojtarëve, drejtuesve të klubit dhe tifozëve, se do ta jap më të mirën time që Prishtina t’i arrij synimet e saj. Do të angazhohem maksimalisht që ta zë një vend në përbërjen bazë”, ka deklaruar ai.

“Në ekip më kanë pritur shumë mirë. Atmosfera në skuadër është tejet pozitive dhe e kam gjetur një grup shumë të mirë. Tani në Antalia po punojmë dhe angazhohemi maksimalisht që për pranverë të jemi sa më të përgatitur”, ka shtuar Pllana. Skuadra “bardhekaltër” sezonin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë me 24 pikë të grumbulluara. Prej 18 ndeshjeve të luajtura, ka regjistruar 6 fitore, 6 barazime dhe po aq humbje.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javë më parë në Kuvendin e Kosovës ka dështuar për…