43 projektligje u dërguan në Komisionin e Venecias, paralajmërohet pako kundër krimit dhe korrupsionit

23 janar 2022 | 09:07

Zëvendësministri i Drejtësisë, Bekim Sallahu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se prej 30 Projektligjeve sa kanë dërguar në Qeveri prej tyre janë miratuar 19.

Tutje, Sallahu tha se nuk janë miratuar edhe 43 Projektligje shkaku që kanë pritur opinion të Komisionit të Venecias, duke u zotuar se edhe ato do të marrin dritën e gjelbër të ekzekutivit.

“Prej 30 ligjeve i kemi dërguar jashtë ministrisë 24 ligje. 19 prej tyre janë miratuar në Qeveri të tjerat janë duke pritur që në mbledhje të radhës të miratohen. I kemi 43 projektligje që nuk janë miratuar sepse kemi pritur disa opinione të Komisionit të Venecias sidomos për paketën ligjore të sistemit prokurorial. Atë opinion e kemi marrë dhe jemi duke e përkthyer në dispozita ligjore brenda kësaj pakete dhe shumë shpejt do të nisin edhe këto projektligje”.

Madje ai paralajmëron pako ligjore ku thotë se do të goditet krimi e korrupsioni.

“Janë disa pako ligjore ku do të goditet krimi dhe korrupsioni. Secili ligj që kemi bërë kemi analizuar çdo lloj koncept dokumenti. Shoqëria dhe marrëdhëniet shoqërorë ndryshojnë për shkak të ndër aktivitet që krijohen brenda shoqërisë. Mbi bazën e kësaj shoqëria po lëviz drejt BE-së”, tha Sallahu.

Ndërsa drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, tha se në vitin 2021 Qeveria ka miratuar 118 Projektligje, prej 188 të planifikuara, kurse në Kuvend janë miratuar vetëm 36.

Sipas tij, ka pasur probleme të mëdha në planifikim dhe ekzekutim, ngase Qeveria ka propozuar vetëm 24  Projektligje të reja, ngase të  tjerat ishin të trashëguara.

“Ka planifikuar të miratojë 188 ligje prej të cilëve janë miratuar 118. Karakteristikë e kësaj Qeverie ka qenë që më shumë se 60% e ligjeve që janë miratuar në Qeveri kanë qenë iniciativa ligjore të Qeverive të kaluara ndërsa vetëm 24 ligje janë të reja të Qeverisë Kurti”.

“Nëse marrim për bazë që kjo Qeveri ka arritur që në Kuvend t’i miratojë vetëm 36 ligje të parapara në agjendën legjislative mund të themi që është një efikasitet jashtëzakonisht shumë i ulët dhe mund të themi që kjo Qeveri ka pasur probleme në planifikim, por edhe ekzekutim. Këto ligje duhet të zbatohen në praktikë”.

Mes tjerash, Miftaraj tha se ligjet që mund ta rregullojnë jetën e qytetarëve janë vettingu, ndryshimet në  sistemin gjyqësor dhe prokurorial për të cilat në vitin 2021 ka pasur iniciativa, por nuk janë konkretizuar.

“Ligjet që mund ta rregullojnë jetën e qytetarëve hyjnë vettingu apo ligjet që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor dhe prokurorial të cilat në vitin 2021 ka pasur iniciativa, por nuk janë konkretizuar”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Interi ka arritur të marrë një fitore me rikthim ndaj…