ALEGORIA “ÇLIRIMI I 14 SHKURTIT” SI OPIUM PROPAGANDISTIK

31 janar 2022 | 11:29

Shkruan: Hajdin Abazi

“Clirimi” është një fjalë shpesh e përsëritur gjatë vitit 2021 nga nomenklatura e tashme pushtetare e A. Kurti me C˚, e cila nuk referon te çlirimi kombëtar, te çlirimi nga pushtimi serb, nuk referon te Lufta Çlirmtare e popullit të Kosovës të udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila përfundoi më 10 qershor 1999. Me fjalën çlirim referohet te fitorja zgjedhore e LVV më 14 shkurt 2021, ku ky subjekt politik fitoi 50.28% të votave. Ky epitet nuk ishte shprehje e ngazëllimit nga fitorja, e cila me sa duket i kishte befasuar edhe vetë fituesit, por kishte diçka përtej saj, ishte një konstruksion që të konsumohej si opium propagandistik për të krijuar në vazhdimësi perceptimin e gabuar mbi nevojën e çlirimit të Republikës. Çlirimi si alegori u përdor si kod, kod që shprehte diçka përtej fitores elektorale, përtej një rezultati, i cili nuk ishte fryt i një programi si ofertë për qytetarët, por më tepër ishte një revoltë demokratike e qytetarëve ndaj nomenklaturave të kaluara.

Se po të ishte fjala vetëm për fitoren zgjedhore, atëherë do të mund të përdorej ndonjë togfjalësh tjetër, si “fitorja e madhe demokratike”, “triumfi i pashembull elektoral i së majtës”, “fitorja e ndryshimeve progresive”, “fitorja për demokratizim të vendit” etj. etj.  Por këto do të kishin konotacion vazhdimësie, kurse nomenklatura e tashme synonte të aludonte te përmbysja, e jo të mbetej në kornizat e rendit ekzistues mbi të cilat është ngritur Republika jonë demokratike, të cilën A. Kurti e ka kundërshtuar me propaganda të shfrenuar duke i akuzuar Dr. Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin etj. si mashtrues që po gënjejnë se do ta shpallin pavarësinë (ju kujtohen afishet e stilit uestern me fotot e tyre dhe diçiturën “kërkohen gjallë a vdekë”?!), dhe kur më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia – nuk denjoi të kërkojë falje për këto njollosje dhe abuzime me shprehjen e lirë dhe për mashtrimin që kishte provuar ta kultivonte me një temë jetike. Kjo, si dhe talljet me flamurin shtetëror “lara-lara”, nxjerrin në suprinë thelbin e perceptimit të tyre: asgjë që bëjnë të tjerë politikanë e burrështetarë nuk ka ndonjë vlerë, vetëm ato që i bëjnë A.Kurti me C˚ janë arritje të mirëfillta, madje edhe kur ato bëhen me nepotizëm, me klientelizëm, me njerëz partiakë etj. Në këtë kuptim, edhe Republika do të bëhet e tillë vetëm kur në pushtet është A.Kurti me C˚.

  1. Kurti e njerëzit rreth tij vazhdimisht e kanë degraduar Republikën duke e njollosur si një vend i krimit e i mafias, duke i etiketuar si të korruptuar, klienteliste e nepotiste policinë, gjyqësorin, Gjykatën Kushtetuese, KQZ,  agjecionet e pavarura, arsimin publik e privat, shëndetësinë publike e private, ndërmarrjet publike, bizneset private dhe secilin institucion, deri edhe sindikatat e pavarura, si edhe vetë shteti u shpallën nga A. Kurti e C˚ “të kapura”. Kjo i bjen se krejt çka janë bërë, janë bërë gabim (ani se në shumicën e rasteve ato janë bërë nën mbikëqyrjen e BE, Ambasadës Amerikane e Këshillit Britanik, përfaqësuesve të Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar etj., dhe sigurisht se ka ndonjë të metë nëpër to por nuk janë për t’u konsideruar të shtrira përtokë! Për të demantuar pretendimin kaq megaloman, mjafton të kujtohet fakti se ishte pikërisht institucioni i akuzuar me pompozitet si i kapur (KQZ-ja) ai i cili e shpalli pikërisht fitoren e LVV! Pikërisht në këtë sens ishte vlerësimi i ambasadorit amerikan Hovenier: të arriturat e Kosoves për 13 vite të shkuara janë thjeshtë mrekulli, por natyrisht ka edhe punë të papërfunduara e që duhet përmbyllur dhe ecur tutje.

Krahasa kësaj, filluan të përdorin fuqishëm sloganin “shteti i kapur”, “drejtësia e kapur” e kështu me radhë gjithcka institucionale ishte e “kapur”, duke krijuar përmes propagandës sistematike perceptimin e shtrembër të krimit institucional sikur gjithçka ishte e instrumentalizuar nga një kastë e caktuar politikanësh. Se nuk ishte objektiv deformimi aty-këtu në institucionet shtetërore e publike shihet nga fakti se i njëjti politikan ishte i keq vetëm kur ishte kundër LVV e i njëjti kur bëhej bashkë me LVV bëhej i mirë (p.sh. ju kujtohet parulla ”Isë, Isë argati i Serbisë”  e cila u konvertua në “Akademik i nderuar”!?). Duke përdorur etiketime të ndryshme për të njëjtët persona, A.Kurti me C˚ po krijonin opinionin në publik se jo ligjet e normat po A.Kurti me C˚ janë standardet e kriteret bazë për vlerësimet e individëve, sepse po të ishte fjala për standarde të mirëfillta atëherë “argati i Serbisë” nuk mundet të lavdërohet më pas me respekt “akademiku i nderuar”! Propagandën e tyre ata e trumbetojnë si diçka të vërtetë, dhe nuk skuqen fare kur herë flasin ma akuza ekstreme e herë me fjalor superlariv, e madje as kur rrenat e mashtrimet dalin sheshit.

Duke thënë se janë bërë keq, dhe se janë kapur të gjitha instrumentet e Republikës, se ata që  kishin kapur shtetin kishin shkaktuar një  “gjakderdhje financiare” dhe se “shtetin e kemi gjetur të gjakosur e përtoke në gjitha anët”, e që shteti të bëhet i mirëfilltë, duhet ristrukturuar me njerëzit e A. Kurtit me C°.

Kjo e zbulon thelbin e kodit të “çlirimit” të A. Kurtit me C°, se ata duan ta ndryshojnë përbërjen e të gjitha mekanizmave të shtetit, atyre publik dhe për t’i dirixhuar edhe strukturat e bizneseve private. Ndonëse kjo, në suprinë, duket vetëm si ndryshim emrash të personave përgjegjës, në të vërtetë në shumicën e rasteve (me ndonjë përjashtim pra) ata nuk janë emra të zgjedhur me meritë (shpesh edhe kur duken të tillë, ata janë të kontrabanduar sepse ata janë në linjë me “çlirimtarët e 14 shkurtit”), por janë familjarë, partiakë, klientelë, e të ngjashëm. Se aspirata e tyre është të përmbysin gjithçka kjo shihet në fushatat e shkarkimeve në mënyrë paushalle e joselektive, për të krijuar përshtypjen se të gjithët ishin jo të duhur në krye të punëve, por, pastaj, ata që i emërojnë vet (me ndonjë përjashtim tepër të rrallë) nuk janë aspak të një niveli më të mirë si kualitete. Kjo nxjerr në pah faktin se kualiteti në të vërtetë nuk është përcaktues; përcaktues është ajo se a je lojal për A. Kurtin me C˚ apo jo, nëse po – edhe po i pate të gjitha të këqiat përsëri je i mirë e i duhur e madje edhe “akademik”, e edhe nëse i ke të gjitha kualitetet e duhura po nuk je lojal i A.Kurtit me C˚ atëherë nuk do mend se je i keq dhe duhesh larguar nga posti!

Me këtë qasje, vetëm kur të vendosën njerëzit e instrumentalizuar të A. Kurtit me C˚, atëherë dhe vetëm atëherë institucioni përkatës bëhet njëmend institucion, pasi që ai do të jetë instrument në përmbushje të objektivave shpesh që vetëm A. Kurtit i di, pasi që secili, në fushën e vet, do të veprojë, vlerësojë e gjykojë me frekuencat e parametrave të A. Kurtit me C˚, por që do të duken si punë, hulumtime, qëndrime të pavaruara e të pandikuara të institucionit përkatës. Këtë logjikë bihejviorizmi të institucioneve të “çliruara”, në të vërtetë të kapura nga njerëz që operojnë me rrjetin e lojalitetit ndaj A. Kurtit me C˚, ne që e kemi përjetuar regjimin komunist e njohim aq mirë!

Kjo që A.Kurti me C˚ po bën, sigurisht, është dëshirë, dhe ëndërr, e fshehur, e çdo pushtetari, sepse kështu kontrollohet e dirigjohet më lehtë pushteti e shteti, vetëm se demokratët e përmbajnë veten, kurse autoritarët shtihen si demokratë por veprojnë në minim të frymës demokratike. E pra, herët a vonë, qytetarët mbi të cilët bie barra e shtypjes, e diskriminimit, e padrejtësive, e eliminimit, e selektivitetit mbi baza partiake e jo të meritave, e që numrin e të pakënaqurve shkon duke u rritë çdo ditë, këta qytetarë e shquajnë gradualisht dallimin midis propagandës dhe realitetit i cili jo vetëm nuk është demokratik por krejt i dirixhuar, dhe ata do të veprojnë, do të reagojnë e do t’i ndëshkojnë edhe këta me të njëjtat mjete sikurse i ndëshkuan pararendësit për gabimet e tyre. Se do të ndodhë kështu, u dha mesazh i qartë në zgjedhjet komunale të 17 tetorit 2021 në të cilat LVV humbi dy prej komunave të mëdha si Prizreni e Mitrovica si dhe humbi në kryeqytet, duke pësuar debakël elektoral – që ishte ndëshkim për keqmenaxhim të pandemisë gjatë verës së vitit 2021, si dhe harrimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës elektorale të 14 shkurtit për luftën kundër korrupsionit, nepotizmit, klientelizmit, çkapjes së shtetit, e që nomeklatura e A. Kurtit me C˚ në vend se t’i luftonte – i bëri të gjithat njëlloj sikur nomenklaturat e shkuara, madje këta krejt hapur. Nga kjo disfatë elektorale e 17 tetorit do të duhej të kuptonte A. Kurti me C°, se kur regjimi diktatorial komunist nuk mundi ta mbajë pushtetin me propagandë, me me përndjekje, me intimidime, me shantazh, arrestime, burgosje e dënime edhe pse i tërë shteti dhe instrumentat e tij ishin hapur në duar partiake, në një rend demokratik, ani se me përvojë të brishtë por të suportuar fuqishëm nga SHBA dhe vendet tjera Euro-Atlantike, nuk do të mund të ketë sukses një tjetërsim e metamorfozim autoritarist të instrumenteve të shtetit, sepse këtë nuk do ta lejojnë as qytetarët të cilët me dekada kanë protestuar, kundërshtuar e luftuar politikisht kundër një sistemi shtypës autoritar, por as dhe aleatët e vërtetë të Kosovës dhe sponsorizuesi kryesor i pavarësisë së Kosovës – SHBA, sepse përveç se do të cenohej liria dhe të drejtat njerëzore, paqja, stabiliteti e sigura dhe demokracia e brendshme, ajo do të paraqiste edhe një dëm gjeopolitik dhe gjeostrategjik në rajon duke devijuar nga SHBA-ja dhe vendet e NATO-s. Aq i madh është vullneti i popullit të Kosovës për liri, paqe, siguri, stabilitet e demokraci, si kusht për zhvillim ekonomik e mirëqenie, sa ai nuk e duron, dhe jam i bindur nuk do ta tolerojë, instalimin e një sistemi autoritar që e privon nga liria, do t’i kuptojë të gjitha dredhitë dhe iluzionet e frazës “çlirim” i 14 shkurtit pasi që, në fund të ditës, ai do ta ndjejë në kurrizin e tij privimin, por edhe varfërimin dhe shtypjem në të cilat, pashmangshëm, të gjitha sistemet autoritare degradojnë. Çdo çlirimi i vërtet, si ai vitit 1999, sjellë liri për të gjithë qytetarët pa përjashtim, pa selektim dhe pa diskriminim, gjë të cilën “çlirimi i 14 shkurtit” po sjellë përfitime vetëm për njerëzit lojalë, ose ata që vihen në shërbim, të A. Kurtit me C˚.

Parullat “çkapja e shtetit” nën moton “krejt dhe drejt” kishin pasqyruar një gjendje tepër të hiperbolizuar për të bërë efekt psikologjik te qytetarët që ndjeheshin të pakënaqur, për t’iu paraqitur atyre me aurorën e shpëtimtarit, se kjo nomenklaturë do të ishte ajo e cila do ta ngriste më këmbë shtetin e plandosur përdhe! Ky inovacion etiketues, në fjalën e A. Kurtit për vitin e ri 2022, dukej përpjekje donkishoteske për të bindur qytetarët se mullinjtë e erës janë forca armike, kur fliste se e gjeti shtetin të shtrirë përtokë ndërkohë që qytetarët tanë si askush në rajon ishin katandisur në errësirë nga kriza energjetike si rrjedhojë e mosmenaxhimit në kohë dhe efikas nga qeveria dhe ndërmarrja publike e KEK-ut, si dhe paralajmërimet për shtrenjtim të rrymës, të cilat shkaktuan rritjen e çmimeve të artikujve ditor me çka po shtenjtohej jeta ndërkohë që të ardhurat mbeteshin të njëjta dhe ata po varfëroheshin – e krejt kjo rrjedhë po i paraqitej si çlirim por që aspak nuk është i tillë!

Për mendimin tim A. Kurti me C˚ i ka të hapura dy mundësi.

Ose të vazhdojë kështu duke propaganduar për një çlirim i cili nuk sjellë aspak atë që referon – çlirimin nga korrupsioni, nga nepotizmi, klientelizmi etj. etj, po sjell vetëm variante të reja të tyre; çlirimi i vërtetë, si ai i UÇĶ, e zëvendëson robërinë nga pushtuesi me lirinë kombëtare. Duke qenë se koncepti i “çlirimit” i 14 shkurtit është me karakter klasor (që ka nis në ditën e fitores së A. Kurtit me C˚ e që duhet të vazhdojë në pafundësi dhe që gjithnjë keqpërdoret nga pushtetarët) e m’u për këtë edhe i parealizueshëm në realitetin demokratik të Kosovës, ai është i destinuar të dështojë.

Ose ta kuptojë se kjo qasje e A. Kurtit me C˚ është në shpërputhje me realiterin demokratik të Kosovës, t’i kalibrojnë konceptet e tyre me frymën e Kushtetutës dhe të punojnë njëmend me rrugët ligjore për të luftuar korrupsionin, nepotizmin e klientelizmin e kjo nuk bëhet me deklarime verbale e në fakt, në praktikë, me vazhdua me to, vetëm se me forma më të sofistikuara.

Të parën, po të ketë pak liri perceotimi në mendje lideri (A. Kurti), nuk do të duhej ta vazhdonte më, sepse është një ndërmarrje obskurantiste politikisht dhe do t’i kthehet bumerang. Ai do të duhej të braktiste kursin populist e autoritarist dhe të rikthenjë kursin demokratik sepse kjo është e vetmja perspektivë. Si gur prove për këtë do të jetë rikthimi i kursit proamerikan, madje duke e fuqizuar atë përmes sinkronizimit, kalibrimit dhe bashkërendimeve të qëndrimeve, deklarimeve dhe veprimeve gjeopolitike dhe gjeostrategjike me SHBA-në.

Nëse do të mund të mbetej diçka nga fraza propagandistike e “çlirimit” ajo është e mundshme vetëm duke forcuar substancialisht sistemin demokratik, duke e zbatuar ligjin dhe jo duke abuzuar me diskrecionin, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe duke mos infiltruar njerëz të dëgjueshëm, si dhe duke mos e partizuar të drejtën dhe drejtësinë, por duke e konsideruar postin publik si obligim për të lehtësuar jetën e qytetarëve, për të bërë projekte dhe nisma zhvillimore për të ngritur gradualisht mirëqenien. Kjo nomenklaturë duhet ta çlirojë veten e vet nga konceptet e ngushta e të gabuara populiste e autoritariste se pushteti e shteti duhet të bëhen sipas koncepteve të tyre dhe jo që këta t’i modifikojnë konceptet e pikëpamjet e tyre me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe në përputhje me interesin e shtetit e të qytetarëve, që të bëjnë ndonjë kontribut shtesë me vlerë që të mbahen mend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tottenhami e ka mirëpritur kthimin e Christian Eriksenit, ish-mesfushorit të…