Policia britanike nis hetimin që mund të fundosë Johnsonin

31 janar 2022 | 17:51

Në Britaninë e Madhe ka nisur një hetim nga policia londineze për kryeministrin Boris Johnson dhe stafin e tij, lidhur me disa festa të organizuara nga ata, ndërsa vendi përballej me karantinën më të egër në Evropë.

Policia britanike ka nisur hetimin lidhur me skandalin që po zien në Britaninë e Madhe për organizimin e festave nga kabineti qeveritar gjatë kohës së pandemisë, kur vendi ishte në izolim të plotë.

Policia londineze tha se po heton 12 nga 16 festat që pretendohet se janë organizuar, të cilat mund ta çonin kryeministrin Boris Johnson drejt dorëheqjes.

Dy nga festat mendohet se janë mbajtur në shtëpinë e kryeministrit Johnson në vitin 2020, ku një prej tyre është ajo e ditëlindjes së kreut të ekzekutivit, megjithëse ai dhe bashkëshortja e tij e kanë mohuar fuqimisht. Festat e stafit kryeministror janë mohuar në fillim nga konservatorët, por gjatë një seance parlamentare kryeministri Johnson e pranoi që kishte marrë pjesë në një festë të tillë, për të cilën ai tha se nuk kishte dijeni se çfarë po bëhej dhe thjesht u gjend i pranishëm në festë.

Festat të cilat u perceptuan si skandal nga opinioni publik krijuan ndasi edhe brenda grupit konservator, ku disa deputetë dolën kundër kryeministrit Johnson, duke i kërkuar atij madje të dorëhiqej.

Të njëjtën gjë kanë kërkuar edhe opozitarët laburistë, lideri i kësaj force Sir Keir Starmer gjithashtu i kërkoi në parlament Johnson të japë dorëheqjen, pasi kishte shkelur me 4 këmbë rregullat e pandemisë së koronavirusit, duke e quajtur atë mashtrues./oranews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Programi për Reforma në…