Apolonia dhe Laçi përfitojnë nga transferimi i Uzunit te Granada

31 janar 2022 | 18:12

Vjen hapi i madh i rëndësishëm në karrierën e Myrto Uzunit. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është një hap larg firmës në një nga kampionatet më të rëndësishme të Evropës, La Liga, pasi ka marrë një ofertë të parefuzueshme nga një nga klubet e elitës atje, Granada.

Lojtari ka shkëlqyer me Ferencvaroshin, duke qenë në një vit e gjysmë atje lideri i repartit të avancuar, duke bindur me lojë dhe me gola të rëndësishëm të shënuar në kampionat dhe në Evropë, ku provoi fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve e së fundmi edhe të Ligës së Evropës. Paraqitje të cilat kanë tërhequr vëmendjen e klubit të Granadas në Spanjë dhe sipas mediave hungareze, por edhe spanjolle konfirmohet se ai do të jetë destinacioni i tij i radhës.

Sulmuesi mungoi në ndeshjen e djeshme të Ferencvaroshit ndaj Ujpeshtit, pasi u konfirmua se ka udhëtuar drejt Spanjës për të firmosur me klubin e ri. Uzuni do të kryejë vizitat mjekësore dhe firmosë për 4 vite me klubin spanjoll përpara mbylljes së merkatos së janarit, e cila në Spanjë ashtu si në pjesën më të madhe të vendeve Evropiane është mbyllur të hënën, raporton “PanoramaSport”.

Nga ky transferim përfitojnë edhe klubet shqiptare, Apolonia dhe Laçi, ekipet që e kanë pasur futbollistin pjesë të tyre deri në moshën 23 vjeç. Ato do të arkëtojnë 3% të vlerës së transferimit të kartonit, që i bie diku te rreth 90 mijë euro secila, ndërsa në arkat e Ferencvaroshit spanjollët e Granadës pritet të derdhin një shifër mes 3 deri në 3.5 milionë euro. Uzuni ka spikatur me Ferencvaroshin ku shënoi 36 gola dhe dha 14 asistime në 67 ndeshje.

Ndërsa klubi ku po shkon, Granada, renditet në vend të 14-të në La Liga këtë sezon. Pas 22 javësh ata kanë grumbulluar 24 pikë dhe duhet të vazhdojnë ende të punojnë për të siguruar mbi jetesën, duke qenë se janë vetëm +6 pikë nga Kadizi i vendit të 18-të, shkallës së fundit që të zbret në Segunda. Në La Liga Uzuni do të zgjerojë hartën e legjionarëve shqiptarë, ku militojnë dhe Bare (Espanyoli) dhe Balliu (Rayall Vallecano).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe…