Deputeti i LV-së dëshmon në rastin Mustafa, mbrojtja thotë se prokuroria ua ka marr dëshmitarin

01 shkurt 2022 | 14:19

Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë,  deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, të martën ka nisur ta jap dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Humolli është dëshmitar nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar (ZPS). Por, para se të ishte në sallë dëshmitari Humolli, ka pasur kundërshtime nga mbrojtja dhe ZPS-ja për këtë dëshmitar, pasi deputeti i LV-së ishte në listën e dëshmitarëve të mbrojtjes dhe tani edhe të prokurorisë.

Seanca  ka nisur me pakënaqësi nga avokati mbrojtës i Mustafës, Julius Von Bone, i cili ka thënë se nuk pajtohet që Humolli të jetë dëshmitar edhe nga mbrojtja, por edhe nga ZPS-ja.

Ai ka thënë se prokuroria ua ka marr dëshmitarin.

“Dëshmitari i cili është dëshmitar i Prokurorisë në prill të vitit që shkoi është paraqitur nga ekipi mbrojtës si dëshmitar mbrojtës dhe pikë së pari nuk na pëlqen sjellja e prokurorisë në kuptimin që ia ka marr dëshmitarin mbrojtjes nuk na pëlqen as kjo lloj sjellje nuk është sjellje e mirë dhe nuk kemi dhënë pëlqim për këtë, prandaj do të donim shumë të dinim duke qenë se po afrojnë afatet cila do të jetë pasoja e kësaj për çdo angazhim në të ardhmen sepse ne parashikojmë se ekziston mundësia që kjo mund të ndodh sërish dhe do doni të dinim me çfarë këndvështrimi mban trupi gjykues për këtë çështje. Mbrojtja e ka intervistuar zotërinë Humolli nga fillimi apo fundi i marsit në viti 2021. Nuk është mirë nga ana e prokurorisë të na e marr dëshmitarin mbrojtjes dhe ta fus në listën e dëshmitarëve të prokurorisë, Humolli mbetet si dëshmitar në listën tonë të mbrojtjes”, ka thënë ai.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia është shprehur se gjykata është e njoftuar se Fatmir Humolli është dëshmitar edhe i prokurorisë, por edhe i mbrojtjes.

“Ne jemi në dijeni që ky ishte dëshmitar i mbrojtjes dhe vazhdon të jetë dëshmitar i mbrojtjes, nuk do të doja të thosha më shumë për këtë do e shtyja këtë diskutim”, ka thënë ajo.

Kurse prokurori Cezary Mihailzcuk, lidhur me këtë ka thënë se edhe prokurorisë, por edhe palës mbrojtëse do t’i jepet mundësia të nxjerrin dëshmitë që kanë lidhje me prova.

“Të dyja palëve do t’iu jepet mundësia që të nxjerrin dëshmi që kanë lidhje me provat që ata dëshirojnë të paraqesin ne sa i takon aspekteve procedurale se si ta trajtojmë këtë dëshmitar mund të propozonim një zgjidhje që ndoshta do të mund ta marrin në konsideratë. Sot zotëri, Fatmir Humolli paraqitet si dëshmitar i ZPS-së, ne mund t’i bëjmë pyetjet që e kemi thirrur pastaj mbrojtja mund të mos ketë asnjë kufizim kohor sa i takon kunëpyetjeve sa i takon kësaj, pastaj mbrojtja mund të mos jetë në gjendje të nxjerrë provat që dëshiron t’i paraqes por ne si Prokurori nuk do të ishim kundër pyetjeve orientuese që mund t’ia bëjë mbrojtja”,  ka thënë ai.

Më tutje, avokati mbrojtës, Bone është shprehur se si mbrojtës i të akuzuarit, Sali Mustafa nuk e pëlqejnë këtë veprim të ZPS-së.

“Edhe kohëve të fundit kur prokuroria kërkoi mbrojtjes pëlqim për të intervistuar dëshmitarin e mbrojtjes ne e pyetëm ZPS-në se për çfarë donin ta bënin këto dhe nuk na dhanë sqarim për këtë çështje, sa më takon mua nuk ka sqarim për këtë çështje nuk do ta japim pëlqimin tonë e megjithatë prokuroria as nuk e pati problem dhe mbrojtja ka zbuluar se ata vazhduan dhe ne besojmë që nuk është kjo mënyra se si duhet të sillet dhe nuk na pëlqeu aspak kjo gjë”, është shprehur  ai.

Fillimi i seancës së sotme në gjykimin për krime lufte ndaj Salih Mustafës ka nisur me vonesë.

Aktakuza ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa është konfirmuar më 12 qershor 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City dhe Joao Cancelo janë dakortësuar për zgjatjen e…