Haradinaj për Vokrrin: Tërë jetën e shkriu që t’i japë emër atdheut

09 qershor 2018 | 11:52

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri.

Ai ka thënë se Fadili ishte motivues i madh për të dalë fitues nga të gjitha betejat.

“I trishtë lajmi për vdekjen e hershme të legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, i cili tërë jetën e shkriu, që t’i japë emër atdheut të tij, të cilin aq shumë e deshti dhe i qëndroi besnik deri në frymën e fundit.Fadili ishte motivues i madh yni që na dha zemër për të dalë fitues nga të gjitha betejat”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se Vokrri është frymëzim për shumë breza të sportit të Kosovës.

“Fadili kurdoherë ishte figura qendrore në fushën e blertë duke u sjellë bashkëqytetarëve buzëqeshje e gëzim edhe në kohërat më të rënda, kur pesha e dhunës peshonte mbi ta. Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Dritë të pastë shpirti, Fadil”, ka thënë Haradinaj.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas vdekjes së…