Kërkohet paraburgim për personat që varrosën gabimisht dy viktimat e Covidit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren ndaj të pandehurve E.R., dhe M.N., të cilët varrosën gabimisht dy viktimat e Covidit-19.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy personat gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.
“Sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale) me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij. Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K.”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Më tej, në njoftim thuhet se me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren.
“E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë. Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, është thënë në njoftim.