BE-ja dhe G7 me bisedime të reja për krizën në Ukrainë

16 shkurt 2022 | 15:42

Liderët perëndimorë planifikojnë që gjatë ditëve në vijim të diskutojnë për krizën që është nxitur nga grumbullimi i mijëra trupave ruse në kufijtë dhe zonat përreth Ukrainës.

Ministria e Jashtme gjermane ka konfirmuar më 16 shkurt se ministrat e jashtëm të shteteve të Grupit të Shtatëve (G7) do të mbajnë një takim urgjent në Mynih më 19 shkurt.

Bisedimet do të udhëhiqen nga ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock. Këto bisedime do të mbahen në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, që zhvillohet nga 18 deri më 20 shkurt.

Ndërsa liderët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë për krizën më 17 shkurt, raporti Reuters, duke cituar zyrtarë të bllokut evropian.

“Liderët do të takohen në Bruksel për samitin e Afrikës dhe ata deshën që të bisedojnë dhe për krizën në kufijtë ukrainas, të përditësojnë të dhënat, të ndajnë informacionet dhe pikëpamjet”, ka thënë një zyrtar i BE-së për agjencinë “Reuters”.

Rusia ka grumbulluar 150 mijë trupa në zonat përreth kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën se është duke u përgatitur që ta pushtojë këtë shtet.

Moska në vazhdimësi ka përsëritur se nuk ka plane që ta pushtojë Ukrainën dhe ka thënë se po kryen stërvitje ushtarake në territorin e saj.

Në G7 bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një video e frikshme është duke bërë xhiron e rrjetin.…