Osmani për 14-vjetorin e pavarësisë pranon urime nga drejtuesit e disa shteteve

17 shkurt 2022 | 15:32

Me rastin e 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, presidentja Osmani ka pranuar telegrame të shumta urimi.

Në urimin dërguar presidentes Osmani, presidenti i Maltës, George Vella, ka përmendur marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës.

“Si një përkrahëse e madhe dhe mbështetëse e përkushtuar e zgjerimit të BE-së, Malta vazhdon të ofrojë mbështetjen dhe inkurajimin e saj konstruktiv për Kosovën, ndërsa vazhdon me zbatimin e reformave dhe përafrimin e institucioneve të saj qeverisëse me parimet dhe vlerat thelbësore të BE-së, në përpjekjen e saj drejt integrimit në BE”,  është thënë në telegramin e presidentit Vella.

Ndërsa presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq në urimin  tij ka theksuar se shteti i tij dhe Kosova e ndajnë vizionin e përbashkët për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. “Jam i bindur që miqësia, dialogu i hapur dhe besimi që karakterizojnë marrëdhëniet ndërshtetërore mes Malit të Zi dhe Kosovës, do të vazhdojë të inkurajojnë intensifikimin dhe përmirësimin e cilësisë së bashkëpunimit tonë dypalësh”, është thënë në telegramin e presidentit Gjukanoviq.

Telegram urimi për ditën e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani ka marrë edhe nga Mbreti i Arabisë Saudite, Salman Bin Abdulaziz Al Saud.

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së vendit tuaj, kam kënaqësi të madhe që t`i shpreh ekselencës suaj urimet e mia të përzemërta, duke ju dëshiruar Juve lumturi dhe shëndet të mirë dhe përparim te mëtutjeshëm dhe prosperitet të Qeverisë dhe popullit mik të Republikës së Kosovës”, është thënë në telegramin e mbretit Salman Bin Abdulaziz Al Saud.

Presidentja Osmani, ka pranuar telegram urimi edhe nga Mbretëria e Tajlandës.  “Unë besoj fuqimisht që Tajlanda dhe republika e Kosovës  do t’i shfrytëzojnë  mundësitë e mëdha  për të promovuar dhe zhvilluar më tutje partneritetin tonë dhe angazhimin kooperativ, posaçërisht në tregti dhe investime për përfitim të dy vendeve dhe popujve tanë”, është thënë në telegramin e mbretit të Tajlandës, Maha Vajiralongkorn R.

Edhe presidenti i Estonisë, Alar Karis, ka uruar Presidenten Osmani me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Estonia qëndron e gatshme të mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejtë integrimit Evropian”, është thënë në telegramin e presidentit Alar Karis.

Në 14-vjetorin e pavarësisë, presidentja Osmani, ka pranuar telegram urimi edhe nga presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

“Bashkëpunimi i dy shteteve tona në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindorë, zë një vend të dalluar”, është thënë në telegramin e presidentit Milanoviq.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendërsulmuesi Edin Dzeko ndjen se Interi largohet me kokën lartë…