Perfeksionizmi i Harold Pinterit

23 shkurt 2022 | 08:15

Një dokument zbulon vëmendjen e dramaturgut të njohur ndaj detajeve, ndërsa një libër amerikan kujton saktësinë e tij për pauzat.

Nga: Dalya Alberge / The Guardian
Sipas një letre të pabotuar më parë, Harold Pinter ishte perfeksionist kur bëhej fjalë për teatrin, madje edhe për mënyrën sesi kujdestari i sallës duhej të dilte nga auditoriumi.

Në vitin 1985, në “West End” të Londrës, dramaturgu e bëri regjinë e tekstit “Sweet Bird of Youth” (Zogu i ëmbël i rinisë) të Tennessee Williamsit, me aktoren Lauren Bacall. Premiera u dha më 8 korrik në Teatrin Mbretëror “Haymarket”. Më 24 korrik i shkroi Anthony Peekut, menaxherit të atëhershëm të teatrit, duke e lavdëruar shfaqjen e natës së kaluar: “Mendoj se shkoi mjaft të mirë. Jam i kënaqur meqë puna është e shkëlqyer”.

Por, vazhdoi duke i paraqitur dy ankesa: “Kujdestari i sallës në rreshtat e parë, qëndroi në këmbë derisa u shuan dritat. Më pas u ngjit lart nëpër shkallë dhe i mbylli dyert, duke shkaktuar kështu reflektimin e dritës në skenë. A mund të largohet nga vendi më herët, si thua?”

Ai gjithashtu u ankua se pse perdja ishte ngritur me 12 minuta vonesë, “që është për keqardhje, pasi 98 për qind e publikut është ulur që nga ora 7:30”.

Pinter, që vdiq në vitin 2008, ishte një nga dramaturgët më të mëdhenj modernë, si dhe aktor e regjisor. I vlerësuar me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 2005, kryeveprat e tij përfshijnë dramat “The Caretaker” (Kujdestari), “Homecoming” (Kthimi në shtëpi) dhe “The Servant” (Shërbëtori).

Letra është zbuluar nga Thomas Edsall, shitës i njohur i librave të vjetër në “Dyqanin e librave të rrallë dhe të fotografive të shekullit XIX”, në Bruklin të Nju-Jorkut. Rrinte fshehur në një kuti me letra të ndryshme të Peekut dhe të kartolinave të Krishtlindjeve të cilat librashitësi i kishte blerë. Bashkë me letrën e shtypur dhe të nënshkruar nga Pinteri është një kopje makine e përgjigjes së sjellshme të Peekut, duke i pranuar kritikat.

Edsall thotë: “Letra dëshmon vëmendjen e Pinterit … ndaj detajeve më të vogla në lidhje me vënien në skenë të një shfaqjeje. Menaxheri Anthony Peek, një veteran në ‘West End’, nuk u dekurajua nga ky gjigant i teatrit britanik. Ai i mbron politikat e teatrit që në fillim, por pranon se çështja e kujdestarit nuk arsyetohet, duke thënë: ‘Ke absolutisht të drejtë për të”.

Michael Billington, që është biograf i Pinterit dhe ish-kritik i ditores “Guardian”, thotë: “Harold ishte i njohur si perfeksionist, veçanërisht kur bëhej fjalë për ndonjë gjë që kishte të bënte me provat apo me lojën. Ishte shumë i saktë dhe shumë i vetëdijshëm për zhurmat dhe ndërprerjet. Me të drejtë kërkonte nga publiku, dhe nga të gjithë të përfshirët në shfaqje, një përqendrim absolut, 100 për qind. Kjo përputhet mirë karakterin e tij.”

Zbulimi vjen pasi regjisorja e njohur amerikane Carey Perloff, e botoi një libër për bashkëpunimet e saja të ngushta – përgjatë disa dekadave – me Pinterin dhe Tom Stoppardin në shfaqjet e ndryshme amerikane të teksteve të tyre.

Në veprën “Pinter and Stoppard: A Director’s View” (Pinteri dhe Stoppardi: Pikëpamja e regjisorit) të publikuar këtë javë nga Methuen Drama/Bloomsbury Publishing, ajo kujton se si Pinteri ishte shumë i saktë ndaj qasjes së tij sa që bënte me dije nëse një aktor nuk ka pauzuar sa duhet. Ajo gjithashtu kujton se kur foshnja e saj e porsalindur ishte në karrocë në zhveshtoren e teatrit, nuk donte ta vërente fëmijën derisa i nevojitej një mënyrë për të përshkruar marrëdhënien midis babait dhe vajzës.

Ajo thotë: “Ishim me prova të shfaqjes ‘Mountaun Language’ (Gjuha e malit), një dramë për një të burgosur politik që nuk e ka parë kurrë fëmijën e tij. Peter Riegert, aktor ky i mrekullueshëm, e luante të burgosurin dhe e kishte të vështirë lojën në skenë. Nuk mund ta personalizonte. Më në fund, Pinteri … shkoi në dhomën e zhveshjes, e merr fëmijën … dhe e sjellë në dhomë. Tha me qetësi: ‘Peter, tani ky është fëmija yt dhe ty nuk të lejohet ta shohësh asnjëherë për shkak të politikës tënde … Është situatë specifike. Tash, luaje pjesën’. Peter ia nguli sytë foshnjës, nisi të qante dhe më pas e bëri lojën. Pinteri e merr fëmijën dhe e kthen në zhveshtore … Akti ishte gjithmonë e mahnitshme pas këtij veprimi”. /Telegrafi/

Letra e Pinterit

Letra e Peekut

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agron Shala Me Katarinën e Madhe, perandoreshën e Rusisë (1729–1796),…