Gjermania mund të funksionojë pa gazin rus, thotë ministri

23 shkurt 2022 | 11:26

Gjermania mund të plotësojë nevojat e saj për energji pa gaz rus, ka thënë ministri i saj i ekonomisë të mërkurën, pasi qeveria ka vendosur të ndalojë miratimin e gazsjellësit të diskutueshëm, i njohur si “Rrjedha Veriore 2” në mes të tensioneve në rritje në Ukrainë.

I pyetur në radion publike nëse ekonomia më e madhe e Evropës mund të bënte pa furnizime me gaz natyror nga Rusia, aktualisht furnizuesi i saj më i madh, ministri i Ekonomisë, Robert Habeck është përgjigjur: “Po, mundet”.

Të martën, kancelari Olaf Scholz ka thënë se miratimi i gazsjellësit “NordStream 2” nga Rusia do të pezullohej në përgjigje të vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të njohur dy rajone separatiste të Ukrainës.

Shkëputja plotësisht nga gazi rus do të linte një vrimë të madhe në treg që në radhë të parë do të “rriste çmimet”, ka thënë Habeck i Partisë së Gjelbër.

Megjithatë, kërkesat e Gjermanisë për energji mund të “kompensohen” me burime dhe furnizues të tjerë të energjisë, duke përfshirë një shtytje të përshpejtuar të burimeve të rinovueshme të përcaktuara nga qeveria, ka thënë ai.

Gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2”, i cili është përfunduar, por nuk u miratua kurrë nga rregullatorët, ishte vendosur të rriste varësinë e Gjermanisë nga Rusia për gaz në 70 për qind të furnizimeve të saj totale.

Projekti është mbështetur vazhdimisht nga ish-kancelarja Angela Merkel, e cila është larguar nga detyra në fund të vitit të kaluar, si dhe pasardhësi i saj Scholz – deri në krizën aktuale.

Më 21 shkurt, Putini ka nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck, rajone këto që kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Pas këtij vendimi, shumë vende perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadati Zymber Demaj, shpall të pavlefshme Diplomën  e Fakultetit  Juridik…