Britania e Madhe kërkon të rishqyrtohet licenca për televizionin shtetëror rus

23 shkurt 2022 | 13:58

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë të mërkurën, më 23 shkurt, se i ka kërkuar rregullatorit britanik të rishikonte licencën e transmetimit të kanalit rus të lajmeve “Rusia Sot (RT)” pasi Moska ka njohur dhe urdhëruar dislokimin e trupave në rajonet separatiste të Ukrainës lindore.

I pyetur në Parlament nëse do t’i kërkonte rregullatorit “Ofcom” ta rishikonte licencën e “RT”, Johnsoni është përgjigjur: “Unë besoj se sekretari i Shtetit për Kulturën, Median dhe Sportin i ka kërkuar tashmë ‘Ofcom’-it që ta shqyrtojë këtë çështje. Por ajo që do të them është se ne jetojmë në një demokraci. Ne jetojmë në një vend që beson në fjalën e lirë. Dhe mendoj se është e rëndësishme që ne duhet t’ia lëmë në dorë ‘Ofcom’-it dhe jo politikanëve që të vendosin se cilat organizata mediatike të ndalojnë, kjo është ajo që bën Rusia”, ka thënë Johnsoni.

Më 2 shkurt, Rregullatori për transmetim në Gjermani, ka ndaluar transmetimin e kanalit në gjuhën gjermane të televizionit shtetëror rus, “RT”.

Ndërsa Rregullatori mbikëqyrës i transmetimeve në Francë më 4 shkurt ka hapur një hetim mbi mbulimin e lajmeve nga “RT”.

Më 21 shkurt, Putini ka nënshkruar dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck.

Dy republikat e vetëshpallura popullore kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Kriza aktuale ka nisur në fund të vitit të kaluar, kur Rusia ka filluar të grumbullojë trupa në kufi me Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Alain Giresse, në adresimin e tij të parë para mediave…