Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë hyjnë sot në fuqi

23 shkurt 2022 | 15:38

Rundi i parë i sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) kundër Rusisë do të hyjë në fuqi sot (e mërkurë), ka thënë një diplomat i BE-së.

Një ditë më herët, BE-ja ka futur në listë të zezë shumë politikanë rusë dhe ka ndaluar tregtinë midis bllokut dhe dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk.

Kjo, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, ka njohur më 21 shkurt Donjeckun dhe Luhanskun si entitete të pavarura.

BE-ja  ka zgjedhur të mos e sanksionojë vetë Putinin, por të fusë në listën e zezë të gjithë anëtarët e Dhomës së Ulët të Parlamentit rus, që votuan në favor të njohjes së rajoneve separatiste si të pavarura.

Blloku evropian ka ngrirë çdo pasuri që ata kanë në BE dhe është vendosur ndalesa udhëtimi.

Bankat e përfshira në financimin e aktiviteteve separatiste në lindje të Ukrainës janë gjithashtu në shënjestër të sanksioneve, ndërsa dy rajonet do të hiqen nga një marrëveshje e tregtisë së lirë midis BE-së dhe Ukrainës.

Sanksionet, të miratuara tashmë në parim nga ministrat e Jashtëm të BE-së, kanë ende nevojë për miratim zyrtar nga ta.

Ky është më shumë një formalitet që pritet të ndodhë gjatë ditës së mërkurë dhe sanksionet do të hyjnë në fuqi sapo të publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goran Milevski dhe ministri i Zhvillimit…