Vjershat e Bashotës që gjunjëzojnë shpërndahen nëpër librari

24 shkurt 2022 | 15:50

 Ka dalë nga shtypi, nën përkujdesjen e shtëpisë botuese “Armagedoni”, libri “Vjershat më të bukura të dashurisë” i autorit Sali Bashota. Sipas botuesit, “poezitë janë të veçanta sidomos për ata që nisin dashurinë e sinqertë me dy fjalë të vetat Të dua, që tregojnë për gjendjen emocionale të tyre dhe që i shprehin dashuri një tjetre e një tjetri. Kur ata që shprehin dashuri s’kanë çfarë thonë më, ndjenjat mund t’i shprehin mirë me Vjershat më të bukura të dashurisë”. Që nga kjo ditë këtë vepër me vjersha e gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë.

Më poshtë parathënia e botuesit

 Vjersha që gjunjëzojnë

Vitin e kaluar i kam dhënë detyrë vetes të bëj një përzgjedhjeje poezish me tema dhe motive nga lirika e dashurisë e Sali Bashotës. Jo siç veprojnë shumë të tjerë, veprova unë. Së pari zgjodha titullin Vjershat më të bukura të dashurisë. Pra, përcaktova detyrën e punës. I kapa nëpër duar, disa prej librave të tij për herë të tretë, për t’i përzgjedhur lirikat e tij më të bukurat, më të mirat, më të këndshmet, më të pëlqyeshmet, më të komentuarat… Kuptohet, përzgjedhjen e bëra sipas shijes sime. Kur i bëra bashkë të gjitha poezitë që më pëlqyen për herë të parë, dolën njëqind e shtatëdhjetë e katër. Hapa një “konkurs” dhe i futa në garë disa prej tyre. I shkualifikova pesëdhjetë e tri. I lashë njëqind e njëzet e një dhe fillova shkrimin e kësaj parathënieje, që s’është hera e parë që bëj një punë të tillë – përzgjedh dhe shkruaj parathënie për libra. Ashtu si përzgjedhjet e mëparshme, edhe këtë të tashmen e bëra pa u pasur asnjë borxh autorëve të tyre. Vlerësoj se meritojnë të shkruhet për veprat e tyre jo kaq shkurt, por shumë gjatë. Dhe është shkruar gjatë dhe shkurt për të dhe për brezin e tij. Për krijimtarinë e Sali Bashotës kanë shkruar shumë kritikë dhe shumë studiues; shumë profesorë dhe shumë studentë brenda dhe jashtë Kosovës. Kanë shkruar parathënie librash, recensione dhe kanë bërë studime për poezinë e tij, për prozat poetike dhe për librat studimorë të tij. Në shkrimet publike është çmuar shumë. Pjesa më e madhe e atyre që i kanë vlerësuar publikisht veprat e tij, kanë zgjedhur epitetet për vlerësim. Ndoshta është e pamundshme, ndoshta është edhe e paqëndrueshme të vlerësosh një vepër të vogël ose të madhe, qoftë vetëm një poezi, pa i lëshuar pas një mbiemër.

Vjershat më të bukura të dashurisë

 A janë këto, të përzgjedhura në këtë përmbledhje, vjershat më të bukura të dashurisë të Sali Bashotës? Sipas mendimit tim janë, por autori i tyre mund të mos pajtohet. Megjithatë, kam shprehur një fjalë publike dhe kam bërë një ndarje vlerash për lirikën e dashurisë së tij sikurse e ka shprehur dhe dhënë vetë Bashota kur kam realizuar një intervistë me të për revistën Akademia. I pyetur Cila është poezia juaj më e mirë?, ai më pati dhënë këtë përgjigje: Një provë e vështirë për secilin poet për ta përzgjedhur krijimin e tij më të mirë. Zgjedhja nuk i nënshtrohet gjithmonë horizontit tregues të parimeve të shpirtit, midis arsyes dhe ndjenjës apo madje edhe midis përfilljes dhe shpërfilljes. Mund të jetë ndikim i drejtpërdrejtë apo edhe i tërthortë i çastit. Një grindje jo e lehtë me vetveten. Përse e zgjodha këtë e jo atë tjetrën? Cili do të ishte gjykimi i shijes estetike të poetit për vetveten, kësaj radhe, në mesin e pothuajse një mijë krijimeve poetike (shtatëqind poezive e treqind prozave poetike), për t’i dalluar dy prej tyre. Sigurisht herën tjetër do të jepja një mendim ndryshe. Shembujt mund të jenë të shumtë. Megjithatë, po i dalloj dhe po i lavdëroj dy prej tyre: ‘Vjersha që po jepte shpirt’ dhe ‘Liri me gjarpër në gji’. E para e shkruar në vitin 1997, e dyta e botuar katër vjet para saj. Në asnjërën prej këtyre dy vjershave të pëlqyera prej tij s’ka motiv dashurie. Në të parën është fati i një poezie për të cilën autori ka dyshime nëse duhet ta grisë apo ta botojë. Në të janë pesë mesazhet e pesë vajzave të tij të cilat i bëjnë një vlerësim poezisë dhe e bindin autorin ta jetësojë pasi që është poezi e mallit të parë. Në poezinë e dytë të tij më të pëlqyer është fati i tij, i familjes së tij, i popullit, i cili ka liri, por brenda saj ka gjarpër në gji, ka robëri. Është ky një motiv që e shqetësonte edhe Migjenin: “Liri! – Po, liri dhe gaforrja gëzon, por gaforre asht…” D.m.th., Bashota, edhe pse sa ka shkruar për dashurinë aq sa ka shkruar për lirinë dhe luftën, ka poezi të tjera që i pëlqejnë e që s’janë në këtë libër. Prandaj, kini parasysh, Vjershat më të bukura të dashurisë shkruar prej tij mund të mos jenë këto këtu.

Biografia në vjershat e dashurisë

 Secilën vepër që boton një autor punën e parë që bëjnë kritikët pozitivistë e lidhin me jetën e tij. Bëjnë përpjekje ta gjejnë jetën e tij në të edhe kur ajo vepër është vetëm trill. Edhe ne kapëm një “pishtar” në duar dhe i shkuam pas jetës së tij në vargje. E gjetëm vetëm një vashë, e gjetëm simpatinë e autorit, së cilës vazhdimisht i shkruan poezi derisa e bind edhe atë ta dashurojë, pak më vonë edhe të martohet me të. E gjetëm, mes mijëra vargjeve, Dritën e bekuar të tij, emrin e së cilës, në trajta dhe kuptime të ndryshme, e shkruan në dhjetëra poezi. Edhe pse nuk është drita emri më i përdorur në vjershat e tij, është një nga emrat e shpeshtë. Të gjitha fijet e dashurisë lidhen me të. Edhe kur shtihet se një poezi i ka kushtuar një subjekti tjetër, prapëseprapë gjejmë një sinonim drite në të, gjejmë të njëjtin subjekt nëpërmjet foljeve ndrit, shndrit, përndrit, ndriçon. Pra, ka jetëshkrim në vjershat e dashurisë të Sali Bashotës. Ai u jep shembull dhe mesazhe të dashuruarve si të dashurojnë, poetëve të dashurisë si të shkruajnë vjersha për të dashurat dhe për gratë e tyre. Çdo shqetësim i poetit, i ndodhur në çdo kohë dhe stinë, është i pranishëm në këto poezi. E hetojmë me lehtësi gjendjen emocionale të tij edhe të mirë, edhe të rënduar kur subjektin lirik e ka pranë dhe larg. Hetojmë adoleshencën dhe pjekurinë; trazimet dhe lëndimet; kënaqësitë dhe vuajtjet; dëshirat dhe mungesat, përmallimet dhe përballimet. Hetojmë një poet të veçantë që me strukturë vargu dhe strofe ka shoqëri, por me fjalë dhe figura është i pashoq. Vjershat më të bukura të dashurisë së tij janë për çdo moshë njeriu, për çdo njeri, edhe për ata që dashurojnë pak, edhe për ata që dashurojnë shumë. Janë të veçanta sidomos për ata që nisin dashurinë e sinqertë me dy fjalë të vetat Të dua, që tregojnë për gjendjen emocionale të tyre dhe që i shprehin dashuri një tjetre e një tjetri. Kur ata që shprehin dashuri s’kanë çfarë thonë më, ndjenjat mund t’i shprehin mirë me Vjershat më të bukura të dashurisë.

Lexim të këndshëm e të vëmendshëm!

Berat Armagedoni

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka 40 ushtarë më pak për të luftuar kundër…