Komandanti i FSK-së viziton Shqipërinë

24 shkurt 2022 | 21:20

Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Bashkim Jashari, u prit sot në vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, nga homologu i tij, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Bajram Begaj.

Pas pritjes me nderimet më të larta ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral Jasharin e priti zv/ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici.

Me këtë rast, zv/ministrja Bici i dëshiroi mirëseardhje gjeneral Jasharit, duke e uruar për detyrën dhe duke vlerësuar lartë udhëheqjen e tij.

Në vazhdim, gjeneral Jashari dhe gjeneral Begaj zhvilluan takim kokë më kokë për të vazhduar tutje me takimin në nivel të dy delegacioneve nga shtabet e forcave respektive.

Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi i çështjeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në kuadër të thellimit të bashkëpunimit dypalësh në trajnime individuale, stërvitjeve kolektive dhe aktiviteteve tjera.

Gjithashtu u diskutua për situatën e përgjithshme gjeopolitike dhe ndikimet potenciale në rajonin tonë.

Gjeneral Jashari me delegacionin e tij vazhdoi vizitën në Komandën e Forcave Tokësore të FARSH, ku u prit nga komandanti i Forcave Tokësore, Gjeneral Brigade Arben Kingji.

Me këtë rast, gjeneral Jashari u njoftua nga afër me misionin, organizimin, strukturën dhe nivelin e gatishmërisë operacionale të Komandës së Forcave Tokësore, ku ndër të tjera shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen e lartë për të arriturat e deritashme.

Gjeneral Jashari shprehu besimin se bashkëpunimi i shkëlqyeshëm mes forcave tokësore të dy institucioneve do të thellohet edhe më tej në të ardhmen në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral ushtarak.

Vizita e gjeneral Jasharit në Shqipëri është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit pas marrjes së detyrës së komandantit të FSK-së dhe simbolizon bashkëpunimin ndër-vëllazëror në mes Forcave të dy vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Conference League ka zhvilluar 5 sfidat e saj të orën…