BERZh-i, rol të rëndësishëm për një tranzicion të drejtë energjetik në Kosovë

28 shkurt 2022 | 16:47

I shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, kryeministri Albin Kurti takimin e parë bilateral në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) e zhvilloi me drejtoreshën menaxhuese të BERZh-it për Infrastrukturë të Qëndrueshme, Nandida Parshad dhe drejtorin menaxhues për Ekonomi të Gjelbër dhe Klimë në Harry Boyd Carpenter.

Kryeministri Kurti ka thënë se është kënaqësi që po takohet në selinë qendrore të BERZh-it në Londër, duke falënderuar për ftesën dhe mirëpritjen.

Ndër temat qendrore të takimit ishin mjedisi dhe energjia.

Kryeministri Kurti ka folur për kapacitetet aktuale të prodhimit të energjisë në vend dhe teknologjinë e vjetër të termocentraleve si dhe për përvojën e Kosovës në përballimin e krizën globale të energjisë. Ai ka theksuar synimin dhe nevojën e vendit për diversifikim të energjisë elektrike, me vëmendje të veçantë te burimet e ripërtërishme.

Kurti ka theksuar se në këtë drejtim Qeveria e Kosovës është duke punuar në hartimin e Strategjisë së Energjisë e cila, përpos dekarbonizimit, do të synojë ta ruajë sigurinë e furnizimit me energji dhe përballueshmërinë për konsumatorë duke rritur përdorimin e energjisë së pastër.

Ndërkaq, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka folur për rëndësinë e efiçiencës së energjisë elektrike dhe projektet aktuale që po gjejnë zbatim.

Ai ka shtuar se BERZh-i ka një rol të rëndësishëm në qëllimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për një tranzicion të drejtë energjetik.

Nandita Parshad, në anën tjetër, ka shprehur mbështetje ndaj synimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për dekarbonizim dhe energji të pastër.

Ajo ka theksuar se BERZh-i është e gatshme ta ndihmojë Kosovën për synimin e saj për një tranzicion të drejtë energjetik.

Në takim, gjithashtu, u diskutuan mundësitë e tjera dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BERZh-it. I pranishëm në këtë takim ishte edhe përfaqësuesi i BERZh-it për Kosovë, Neil Taylor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova duhet…