Sot po shohim një luftë ndryshe botërore

01 mars 2022 | 20:31

Shkruan: Hajdin Abazi

Ajo që po shohim se po ndodhë sot në Ukrainë dhe për Ukrainën është një luftë e re botërore, porse një luftë ndryshe, e tillë dhe në përmasa që nuk ka ndodhur deri më sot, ky është përfundimi që nxirret si deduktim i tërë zhvillimeve tepër dinamike politike, të luftës në terren dhe katastrofës humanitare

Kjo, në të vërtetë, pakashumë ishte paralajmëruar ende pa nisur pushtimi i Ukrainës. Presidenti amerikan Joe Biden kishte paralajmëruar se Rusia do të paguante kosto të lartë nëse do të niste veprime agresore. Ai kishte proklamuar sanksione të përmasave të panjohura deri më tash. Kësaj qasjeje iu bashkua Britania e Madhe, Bashkimi Evropian, Kandaja, Australia e shumë vende të tjera.

Rusia, me sa duket, nuk e kuptoi atë që i tha bota demokratike, dhe Putin e vuri si strategji kundërshtimin e vullnetit të një populli të lirë e sovran, gjë që e shprehu kërcënimin hapur se nëse nuk hiqte dorë Ukraina nga bashkimi me vlerat dhe sigurinë e vendeve të lira euro-atlantike, Rusia do të “mbrohej” nga ky rrezik.

Duke qenë se presidenti V. Zelenskyy nuk u gjunjëzua nga shantazhet e kërcënimi, Rusia nisi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës, fillimisht duke inskenuar gjoja hyrjen paqësore të trupave ruse në republikat e nxitura nga Putini që të shpallnin pavarësinë, e pas dy dite duke vazhduar pushtimin e territorit ukrainas.

Me këtë filloi agresioni rus ndaj Ukrainës, që duket se Putini e kishte besuar një pushtim të lehtë e të shpejtë. Edhe pse dihej pabarazia ushtarake dhe në armatim, përsëri ukrainasit u treguan të vendosur të mbrojnë lirinë e vet, atdheun, sovranitetin dhe kështu t’i rezistojnë dhe ta luftojnë pushtuesin rus.

Derisa ngjarjet zhvilloheshin shpejt e me dramacitet teksa okupatori rus po pushtonte një vend sovran, çfarë bëri perëndimi?

Presidenti amerikan Biden e tha se janë dy alternativa, e para luftë Rusisë dhe kjo do të ishte Lufta e Tretë Botërore ku kishte gjasa të përdoreshin edhe armët bërthamore, prandaj ky nuk ishte opsioni. Alternativa e dytë ishte ajo e sanksioneve ekonomike, dhe, po, ky ishte opsioni që do të ndiqnin aleatët perëndimor për të shmangur Luftën e Tretë Botërore ushtarakisht.

Kësaj here ishte ndryshe: sanksionet morën karakterin e një lufte të mirëfillte ekonomike.

Ajo që po bëjnë vendet e perëndimit është pra një luftë ekonomike kundër luftës ushtarake, të padrejtë dhe në kundërshtim të hapur me të gjitha ligjet ndërkombëtare.

Luftërat ushtarake kanë kosto të lartë në njerëz dhe ky është dëmi më i madh dhe ireversibil, menjëherë pas kësaj vjen dëmi ekonomik i luftës, dëm i cili përfshin karburantet, pagat, ushqimin, logjistikën ushtarake, municionin e predhat e shumë të tjera, dhe zakonisht ato sjellin edhe shkatërrim të infrastrukturës, vendbanimeve, industrisë etj. – dëme këto, të cilat, me kohën, mund edhe të riparohen.

Lufta ekonomike e perëndimit liberal-demokratik kundër autoritarizmit rus, do të shkojë përtej dëmeve dhe kostove të njohura direkt nga lufta ushtarake. Ato brenda një dite i shkaktuan humbje prej 39 miliardë dollarësh amerikan Rusisë, pastaj u bë bllokimi i qindra miliardave të tjera përmes bllokimit të aseteve dhe financave ruse në bankat perëndimore, deri te bllokimi i qasjes ndërkombëtare të Rusisë në rrjetet bankare (SWIFT), ndërprerja e importit të gazit e naftës e drithërave nga Rusia etj. që sollën humbje të paimagjinueshme brenda një jave.

Lufta ekonomike u pasua edhe me disa veprime politike si pezullimi i Rusisë nga Këshilli Evropian, inicimi i hetimeve të Gjykatës për Krime lufte kundër Putinit e bashkëpunëtorëve të tij, masa ndalimi për personalitete të shumta të krimit në Rusi, rezoluta e SHBA dhe e Shqipërisë e votuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB për dënimin e luftës ruse në Ukrainë, ndalimi i linjave ajrore nga Bashkimi Europian etj.

Madje Rusia po goditet edhe në sport, e zhvendos kampionati i paraparë të mbahet në Rusi, u përjashtuan nga shumë federata, u anuluan shumë ndeshje sportive.

Madje edhe Google, YouTube etj. vunë sanksione ndaj Rusisë, duke e bllokuar qasjen në to dhe përfitimet nga to, gjë që godet ekonomikisht bizneset dhe afaristët rus.

Në anën tjetër, SHBA dhe shumica e vendeve demokratike kanë ndihmuar Ukrainën financiarisht duke dërguar qindra miliona dollarë amerikan, armatim luftarak të rëndë e të lehtë etj.

Krahas kësaj goditjeje të fuqishme nga kundëragresioni perëndimor, Rusia po kalon nëpër një krizë të thellë sa ekonomike brenda vendit, aq dhe politike pasi që brenda vendit po e kundërshtojnë luftën me protesta masive duke u shndërruar në një revoltë anti-Putin.

Sigurisht, Putini dhe kabineti i tij gjeostrategjik kanë llogaritur në masa drastike, por jo të këtij niveli kaq të lartë, të shpejtë dhe thuaja frontal në ekonomi e financa. Ndaj, ata, të shokuar nga kjo, kërcënuan botën duke e vënë gjendjen “alert” në arsenalin bërthamor.

Zhvillimet deri.më tash: Ukraina po i bën ballë një superfuqie ushtarake si Rusisë, Ukraina fitoi përkrahjen e tërë botës dhe popujve liridashës kurse Rusia u dënua dhe u izolua thuaja nga gjithçka të botës demokratike dhe nuk u përkrah as nga aleatët e saj tradicional, qëndresa heroike e Ukrainës rriti unitetin e vendeve të perëndimit në solidarizim me Ukrainën dhe në kundërshtimin e agresionit rus dhe të dyja këto (qëndresa ukrainase dhe bashkimi i perëndimorëve) janë fitore të mëdha dhe do të kenë ndikim vendimtar gjeopolitik dhe gjeostrategjik nga tash e në të ardhmen. Krahas kësaj, një fitore më vete është mosrënia e vendeve demokratike në kurthin e Putinit për shkaktimin e Luftës së Tretë Botërore, dhe shmangia e saj është një sukses sepse shpëton  miliona e miliona jetë njerëzish dhe ndoshta vetë njerëzimin dhe planetin tokë.

Si do të jetë epilogu?

Insertet luftarake, aktet heroike të ukrainasve, krimi e gjenocidi i rusëve, sugjerojnë epilogun, sidomos duke marrë parasysh forcat e shumta agresore ruse, të cilat po e rrethojnë kryeqytetin.

Pavarësisht rrjedhave brenda Ukrainës, jashtë saj duhet të vazhdojë lufta (edhe nëse do të binte Ukraina).

Po mendoj, lufta ekonomike.

Vendet Euro-Atlantike duhet të vazhdojnë luftën ekonomike, për ta dërrmuar financiarisht klasën politike ruse, kastën e oficerëve dhe oligarkët rusë në krye me Putinin, ashtu që fuqia e tyre të dobësohet aq sa të plasin kryengritje brenda Rusisë.

Gjeopolitika botërore me agresionin rus në Ukrainë ndryshoi përgjithmonë. Perëndimi duhet ta ruajë këtë unitet dhe epërsi ndaj Rusisë, që të mos mundet ta luajë policin kundër ndonjë vendi tjetër sovran gjë që ka paralajmëruar Putini me kërcënimin ndaj Bullgarisë, Estonisë, Lituanisë, Letonisë, e madje edhe ndaj Finlandës e Suedisë (ashtu si Serbia, aleatja e kamufluar ruse në Ballkanin Perëndimor, po e kërcënon Kosovën qe 20 vite pasluftës e ç’fat që Kosova është e rreshtuar krah vendeve euro-atlantike; ashtu si Serbia provoi të destabilizonte Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën).

Konsistenca e perëndimit në luftën ekonomike do t’i bënte të gjithë diktatorët tash e në të ardhmen të dinë fundin e tyre – bllokadën  përndjekjen, izolimin dhe tërmetin ekonomik, sepse vetëm kjo mund t’ua ndalë hovin. Kështu, si finale, do të ishte hera e parë që një luftë ushtarake të ketë epilog humbës, madje katastrofal për ekonominë e vendit. Mundet që lufta ushtarake të fitojë praktikisht në rastin konkret, por nëse vazhdon lufta ekonomike kundër agresorit – atëherë ky, mbase, edhe do të jetë fundi i luftërave të tmerrshme ushtarake në përmasat botërore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka…