Rriten të hyrat për 30 milion euro për vetëm dy muaj
Institucion i Administratës Tatimore të Kosovës, si një ndër më të rëndësishmit në mbushjen e arkës së shtetit të Republikës së Kosovës, ka arritur që për dy muajt e parë të këtij viti të mbledh 124.9 milion euro tatime.
“Ky trend i performancës së të hyrave ka tejkaluar objektivat e planifikuara për këtë periudhë, duke arritur që të mblidhen 11.8 milion euro apo 10.4% më shumë. Gjithashtu në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021 është arritur të rriten të hyrat për 30 milion euro apo 31.6 %. ATK të gjitha aktivitetet e saj tash më i ka të koordinuara sipas Planit Strategjik për vitin 2022-2026, në të cilin janë të përfshira objektivat; forcimi i mbledhjes së të hyrave dhe zvogëlimi i hendekut tatimor – maksimizimi i të hyrave të mbledhura dhe të pagueshme, sipas ligjeve tatimore të Kosovës; modernizimi i Administratës Tatimore – zbatimi i një sistemi të ri të administrimit të teknologjisë së informacionit, modernizimi i strukturave tona organizative, si dhe ngritja e kapaciteteve të stafit dhe kapaciteteve institucionale për t’iu përgjigjur mjedisit tonë të ri”, është thënë në njoftimin e ATK-së.
Sipas ATK-së, për të implementuar Planin Strategjik, ATK do të avancoj një sërë nismash reformuese për të ndërtuar një administratë tatimore moderne dhe efektive. Këto nisma do ta udhëzojnë hartimin e strategjive dhe veprimeve specifike në planet tona vjetore operative dhe strategjike. “Andaj, menaxhmenti i lartë i ATK-së i bënë thirrje gjithë tatimpaguesve që t’i kryejnë në kohë obligimet e tyre tatimore, pasi që kjo është njëra ndër shumë mundësit kur ju mund të kontribuoni për shtetin tonë”.