Miratohet rezoluta që dënon shkeljen e të drejtave të njeriut nga Rusia

04 mars 2022 | 14:09

Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për të Drejtat e Njeriut ka votuar me shumicë dërrmuese të premten për një rezolutë që dënon shkeljet e supozuara të të drejtave të njeriut nga Rusia gjatë pushtimit të saj në Ukrainë dhe ngritjen e një komisioni hetimor për t’i hetuar ato.

32 anëtarë të këtij këshilli kanë votuar në favor të rezolutës së sjellë nga Ukraina, dhe dy, Rusia dhe Eritrea kanë votuar kundër, ndërsa 13 kanë abstenuar.

Organi me bazë në Gjenevë nuk mund të marrë vendime ligjërisht të detyrueshme, por vendimet e tij dërgojnë mesazhe të rëndësishme politike dhe mund të autorizojnë hetime, siç është ai që do të kryhet nga komisioni prej tre personash i krijuar nga votimi i së premtes, shkruan “Reuters”.

Ambasadorja e Ukrainës në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Yevheniia Filipenko, i ka thënë këtij këshilli disa minuta përpara votimit se kishte “prova të pakundërshtueshme të shkeljeve të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut, si dhe krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit nga Rusia”.

“Është detyra jonë e përbashkët të sigurojmë llogaridhënie duke mandatuar dokumentacionin dhe verifikimin e krimeve të Rusisë dhe identifikimin e atyre që janë përgjegjës”, ka thënë ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Ukrainë,…