Kurti: Familja Jashari bashkoi popullin dhe i dha hovin vendimtar UÇK-së

06 mars 2022 | 09:56

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt, në ditën e dytë të Epopesë së Kosovës.

Kurti para medieve ka thënë se familja Jashari bashkoi popullin dhe i dha hov vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në 24-vjetorin e flijimit të katër brezave të familjes Jashari, të cilët u sakrifikuan për lirinë e Kosovës dhe bashkuan popullin, gjithashtu i dhanë hov vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharëve. Ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej nga regjimi i Millosheviqit edhe në dhjetor të vitit 1991, edhe në janar të vitit 1998. Të gjitha këto sulme ndaj Jasharëve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse. Drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë dhe mohimet që bëhen”, shtoi ai.

“Gjenocidi i Serbisë në Kosovë i ka ende plagët e hapura dhe ne si institucione të Republikës, si krerë, si përfaqësues politikë, si qytetarë nuk e harrojmë prej nga vimë, por në të njëjtën kohë pikërisht përmes përgjegjësisë tonë për këtë të shkuar sa të dhimbshme aq edhe të lavdishme e dimë si të ecim mirë dhe mbarë përpara”, tha kryeministri Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, thonë se Bashkimi…