KOK-u kërkon nga FFK-ja t’i zbatojë rregulloret dhe ligjin

07 mars 2022 | 16:24

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka reaguar pas hallakamës së fundit të krijuar në futbollin kosovar.

Institucioni më i lartë i sportit në vend ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) që t’i zbatojë aktet normative të saj, bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i sportit.

“Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ka thirrur Kuvendin e Rregullt Zgjedhor për t’u mbajtur më 6 prill 2022. KOK-u si institucioni më i lartë sportiv në vend, kërkon që të zbatohen aktet normative të FFK-së bazuar në dispozitat e dala nga Ligji i sportit. KOK-u, e ka për obligim të monitorojë kuvendet e rregullta të punës dhe ato zgjedhore të federatave sportive, por jo edhe të interpretojë statutet e federatave. KOK-u beson se Federata e Futbollit e Kosovës, si më masivja në vend, do ta kalojë këtë situatë në frymën e ‘fair-play’-it sportiv”, është thënë në reagimin e KOK-ut.

Ndërkohë, klubi i futbollit Vitia e ka paditur të hënën FFK-në në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e mbajtjes së zgjedhjeve më 6 prill, me paralajmërim prej vetëm një muaji më herët, të cilin e ka konsideruar të kundërligjshëm.

Ky klub e ka kërkuar anulimin e datës së mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është paditur në Gjykatën…