Seanca e parë në Hagë për luftën në Ukrainë, përfaqësuesi i Kievit: Putini gënjen, po i vret civilët

07 mars 2022 | 16:53

Rusia nuk ka marrë pjesë në seancën e parë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për luftën në Ukrainë.

Përfaqësuesi i Kievit ka kërkuar një urdhër emergjent për ndalimin e menjëhershëm të pushtimit.

Ndërsa ambasadori rus, Aleksandër Shulgin, ka sinjalizuar se qeveria e tij nuk ka ndërmend të jetë pjesë e procedurës.

Kryegjyqtarja e gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara, ka pasur një koment për këtë vendim.

“Gjykatës i vjen keq për mosparaqitjen e Federatës Ruse në këto procedura verbale”, ka thënë Joan Donoghue.

Përfaqësuesi i Ukrainës, Anton Korineviq, ka nënvizuar se “fakti që karriget e Rusisë janë bosh, flet shumë”.

“Ata nuk janë këtu në këtë gjykatë të ligjit, por janë në fushëbetejë duke bërë një luftë agresive kundër vendit tim”, ka thënë ai.

Më tutje, ai e ka akuzuar Moskën për abuzim me Konventën për gjenocid duke përdorur pretendime false të një gjenocidi joekzistent si pretekst të rremë për të justifikuar pushtimin.

“Mesazhi im për Rusinë është ky: Le t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona si kombe të civilizuara, të ulim armët dhe na sillni provat”, ka thënë ai, duke e akuzuar  presidentin rus, Vladimir Putin se po gënjen me pretendimet e tij dhe se civilët në Ukrainë po vriten.

“Rusia duhet të ndalet dhe Gjykata ka një rol për të luajtur në ndalimin e saj. Prandaj populli në Ukrainë, qeveria dhe presidenti Volodymyr Zelensky, ju kërkojnë me respekt, por me urgjencë për të pranuar kërkesën tonë për masa provizore”, është shprehur ai.

Rusia dhe Ukraina janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të dyja shtetet kanë nënshkruar Konventën e gjenocidit. /a2cnn/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putini tregon se NATO-ja duhet…