Koncept-dokumenti për ekspertët gjyqësorë, mori miratimin e Qeverisë

09 mars 2022 | 17:08

Në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paraqitur për miratim koncept-dokumentin për ekspertët gjyqësorë, pasi që është vlerësuar si i domosdoshëm dhe urgjent rregullimi dhe normimi i kësaj çështje, nga i cili do të krijohet edhe mekanizmi formal për emërimin e ekspertëve.

Ministrja Haxhiu duke theksuar rëndësinë e këtij koncept-dokumenti tha se: “Që nga konsolidimi i sistemit gjyqësor në Kosovë në vitin 1999 e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, licencimi dhe angazhimi i ekspertëve gjyqësorë nuk është adresuar sa dhe si duhet. Si rrjedhojë, nuk janë ngritur asnjëherë mekanizmat për licencimin e ekspertëve gjyqësorë derisa veprimtaria e ekspertit gjyqësor vazhdon të ushtrohet nga individët të cilët nuk i janë nënshtruar ndonjëherë procesit të licencimit”.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se pas reformimit të sistemi gjyqësor me 2013-n, ky proces është ndaluar i tëri dhe prej asaj kohe e deri më tash nuk ka pasur asnjë proces apo mekanizëm formal për emërimin e ekspertëve gjyqësorë, edhe pse procedurat gjyqësore vazhdojnë të jenë të varura në ekspertizat gjyqësore.

Opsioni i rekomanduar i këtij koncept-dokumenti kërkon nxjerrjen e një ligji të ri për ekspert i cili do të mandatojë Ministrinë e Drejtësisë me kompetencë ligjore për emërimin e ekspertëve.

Përmes këtij Koncept-dokumenti janë adresuar çështjet më problematike që janë evidentuar, siç janë: lista e ekspertëve, procesi i emërimit, mosekzistimi i një mekanizmi ku paraqiten pakënaqësitë ndaj punës së ekspertëve, frekuenca e angazhimeve si ekspert, çështja e angazhimit privat të ekspertëve që punojnë në institute publike që ofrojnë ekspertiza gjyqësore, unifikimi i kritereve për emërimin e ekspertëve dhe si të tilla do të rregullohen me ligj të veçantë.

Ministria e Drejtësisë, përmes ligjit të ri do të pajiset me kompetencë shtesë për zhvillimin e procedurave dhe emërimin e ekspertëve.

Ky proces do të jetë i hapur dhe transparent, me kritere të paracaktuara dhe me përfshirjen e hisedarëve kryesor në procese, si KGjK, KPK dhe odat përkatëse profesioniste.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka thënë se nuk është…