![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2018/06/2018-06-13-kryeparlamentari-veseli-takoi-bashkatdhetaret-ne-shtutgart-5_1528915829-6799938.jpg)
Veseli takoi bashkatdhetarët në Shtutgart të Gjermanisë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Shtutgart të Gjermanisë ka takuar dhjetëra bashkatdhetarë, me të cilët ka bashkëbiseduar lidhur me veprimtarinë e tyre në Gjermani, lidhjet me vendlindjen dhe mundësitë e investimeve.
Veseli ka deklaruar se Kosova ka ndërmarrë hapa konkretë në lehtësimin dhe thjeshtësimin e procedurave të të bërit biznes në Kosovë, duke përmirësuar çdo ditë e më shumë klimën investive.
Në këtë funksion, ai theksoi se Kosova mirëpret bashkatdhetarët që të vijnë dhe investojnë në vendlindje, si një mundësi e mirë për zgjerimin e bizneseve të tyre, por edhe mbështetje për Kosovën dhe të rinjtë e saj, në këtë fazë të nevojshme për vende të reja të punës.
Po ashtu, Veseli ka deklaruar se Kosova ka nevojë edhe për dijen dhe përvojën e njerëzve të saj, të shkolluar në universitetet perëndimore.
“Shteti i Kosovës do të jetë përherë krah jush, por ai gjithashtu ka nevojë edhe për krahun dhe dijen tuaj. Ju duhet të mendoni që ngadalë të shihni mundësinë e investimeve në biznese në Kosovë dhe të krijoni profite, por edhe të hapni mundësi të reja për bashkëqytetarët e juaj në Kosovë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
![](http://www.gazetaexpress.com/public/uploads/image/2018-06-13-kryeparlamentari-veseli-takoi-bashkatdhetaret-ne-shtutgart-4_1528915813-7604966.jpg)
![](http://www.gazetaexpress.com/public/uploads/image/2018-06-13-kryeparlamentari-veseli-takoi-bashkatdhetaret-ne-shtutgart-1_1528915798-6265733.jpg)