Dogana: Vaji që u shit për 3.49 euro u importua me çmim prej 1.22 deri në 1.45 euro
Dogana e Kosovës ka njoftuar se pas ngritjes së çmimeve dhe shqetësimeve të qytetarëve ka analizuar sektorin e importit të vajrave ushqimore.
Dogana ka njoftuar se gjatë vitit 2021 në total janë importuar vaj luledielli i përpunuar rreth 17.7 milionë litra, derisa janë importuar edhe 5 milionë litra vaj luledielli i papërpunuar.
“Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit 2021 duke filluar 1.11 euro/cent në janar të 2021 e ka shënuar rritje ne 1.44 euro/cent në dhjetor të vitit 2021, derisa taksat që paguan një litër vaj në import është TVSh-ja e reduktuar për qind”.
“Derisa vajrat e papërpunuara nuk paguajnë asnjë taksë pasi konsiderohen lëndë e parë për prodhim. Derisa në vitin 2022 (periudha janar -shkurt dhe një pjesë e marsit) në Kosovë janë importuar 3.3 milionë litra vaj luledielli i përpunuar dhe 1.4 milion litra vaj luledielli i papërpunuar. Vajrat ushqimore në import kanë variuar në çmim gjatë vitit këtyre dy muajve nga 1.22 euro/cent deri në 1.45 euro/cent”, ka njoftuar Dogana.
Më tutje, Dogana e Kosovës, ka thënë se në bashkëpunim me autoritetet kompetente do të vazhdojë të ushtrojë kontrolle në kuadër të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive të saj, me qëllimin e vetëm parandalimin e veprimtarive ilegale në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës ka ftuar qytetarët të njoftojnë secilin rast të sjelljes joetike të zyrtarëve doganorë në numrin e telefonit: 080050095.
Ditëve të fundit në vend ka pasur ngritje të çmimit të vajit, ku në disa markete, çmimi i një litre vaj ka arritur në 3.49 euro.