Kosova të kërkojë mbylljen e Gjykatës Speciale

12 mars 2022 | 19:11

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se Kosova në bashkëveprim të ngushtë me ShBA-të dhe BE-në duhet të fillojnë konsultimet me kërkesen për procesin e përmbylljes së Gjykatës Speciale në Hagë.

“Ledhatimi evropian në Këshillin e Evropës ndaj ‘arushës ruse’ në kurriz të së vërtetes sonë na e solli edhe ‘narrativin’ e kerkesën e mbrojtjes dhe dëshmimin e vlerave tona perëndimore si shoqëri e shtet në kerkim të ‘drejtësisë’ dhe ‘ballafaqimit me të kaluaren’ – ‘pastrimin e luftës së drejtë e çlirimtare të UÇK-së nga elementet dyshuese për ‘krime lufte'”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”, duke shtuar se e vërteta ishte dhe mbetet se duhej të plotësohen dëshirat e vullneti persekutues i Moskës dhe Beogradit që ishte adresuar kundër udhëheqësve të luftës sonë çlirimtare.

“Ky çmim i ‘drejtësisë ruse’ e jo i vlerave perëndimore duhet paguar nga Kosova, e për fabrikim të dëshmive kompetencat do t’i barte Moska e Beogradi. Këtë po e vërteton gjithnjë përmbajtja e akuzave në procesin gjyqësor të Hagës”, ka thënë ai.
Sipas tij, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet të fillojnë së vepruari e të inicojnë përpjekjet institucionale për ndryshimet ligjore të nevojshme me qëllim të përmbylljes së kësaj gjykate të fabrikuar në Moskë e Beograd.

“Në këto rrethana të reja është e pafalshme që Kosova të heshtë për këtë padrejtësi historike. Kurtha dhe kompromisi mashtrues shumëpalesh me drejtesinë e agjendën e Putinit, në kurriz të së vërtetes sonë për luftën e udhëheqësit e UÇK-së në Gjykatën Speciale duhet të marrë fund!”.

“Pas shpërfytyrimit agresiv e vrastar të Putinit e Rusisë në Ukrainë, miqtë ndërkombëtarë e kanë më të lehtë ta kuptojnë por edhe ta pranojnë mashtrimin, të vërteten dhe çmimin e padrejtësisë që Kosova sot po e paguan për llogari të ‘drejtesisë e barazisë’, të kërkuar pikërisht nga Beogradi e Moska e Putinit”, ka deklaruar Selimi.

Ai ka theksuar se lufta në Ukraine ka kthyer parimet e Nurembergut.

“Kjo luftë ka përmbysur konceptet e krimeve eventuale që i identifikon fituesin dhe humbësit. Atëherë kur cenohen vlerat progresive e të demokracisë, legjitimiteti vie mbi legalitetin. Në fund të fundit edhe intervenimi i NATOs në Kosovë u bazua mbi legjitimitetin e jo mbi legalitetin”, ka deklaruar ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që kur Rusia ka nisur agresionin në Ukrainë, e gjithë…