Kompanive britanike u bëhet thirrje të largohen nga Rusia
Ministri i Financave në Britani të Madhe, Rishi Sunak, u ka bërë thirrje më shumë kompanive britanike që të zvogëlojnë investimet ekzistuese në Rusi, dhe ka thënë se investimet e reja duhet të ndalen, pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën.
“Ndonëse e dimë se mund të jetë sfidues zvogëlimi i investimeve, besoj se nuk ka argument për investime të reja në ekonominë ruse”, ka thënë Sunak në një video-mesazh në Twitter.
“U bëj thirrje pronarëve të aseteve që të mendojnë me shumë kujdes për ndonjë investim të ri, që në ndonjë mënyrë do të mbështeste Putinin dhe regjimin e tij”.
Disa kompani të mëdha britanike kanë njoftuar se do të shesin apo do të zvogëlojnë interesat e tyre në Rusi.
Në mesin e tyre janë kompanitë e energjisë Shell, BP dhe ajo për investime, Aviva.