Eksportimi i rrymës, Kurti e jep shpjegimin në Kuvend: Teprica natyrisht që eksportohet

15 mars 2022 | 14:34

Kryeministri Albin Kurti, ka komentuar raportimet për eksportimin e energjisë elektrike nga Kosova në muajt janar dhe shkurt.

Kurti në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ka thënë se njëri nga faktorët e kësaj është keqkuptim.

“Ajo çfarë po përgjigjem tash, e më vonë do të flasë për çështjen e çmimeve është se eksportimi i energjisë që u tha për muajt janar dhe shkurt, janë tre faktorë, njëri prej të cilëve është keqkuptim dhe po ia filloj prej këtij. Faktori i parë është transiti i energjisë. Transiti i energjisë nuk është eksport. Kur Serbia i shet energji Shqipërisë ose anasjelltas, kur Maqedonia e Veriut i shet energji Malit të Zi ose anasjelltas, ajo kalon nëpër Kosovë, hyn e del, por ajo që del nuk është eksport. Prandaj duhet të kemi kujdes që të mos e keqkuptojmë”, ka thënë Kurti.

Shefi i qeverisë ka treguar se Ujmani eksporton energji elektrike me çmim të lirë në bazë të disa kontratave.

“Faktori i dytë është që Ujmani ka kontrata afatgjata të eksportit të energjisë. Me 38 euro e shet një megavat orë, por ne i kemi gjetur ato kontrata… Ujmani eksporton se e ka obligim kontraktual shitjen kaq të lirë në një krizë energjetike”, ka thënë ai.

Kurti si faktor të tretë e ka përmendur “tepricën e energjisë elektrike” pas mesnatës, “sidomos në orën 3:00, 4:00 dhe 5:00, pas mesnatës”.

Gjatë kësaj kohe prodhimi është më i lartë sesa konsumi dhe Kurti ka thënë se energjia elektrike në këtë kohë është e natyrshme të eksportohet.

“Çka me i bë kësaj energjie? Me ia dhënë KOSTT-it? Çfarë i vyen KOSTT-it. Tepricën natyrisht që e eksporton”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia në fuqi e Premier Ligës, Manchester City nuk arriti…