Mehaj fton qytetarët të kontribuojnë në Fondin për Siguri

16 mars 2022 | 11:38

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur mirënjohje të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandërprerë për Fondin e Sigurisë.

“Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandërprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka ftuar të gjithë që të japin kontribut në Fondin e Sigurisë, për ushtrinë.

Postimi i plotë i tij:

Qytetarë të dashur,
Bashkëkombës nga mërgata kudo që jeni,
Miq ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës,
Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe gjithë ushtarakëve të FSK-së, ju shpreh mirënjohjen më të lartë për përgjigjen e jashtëzakonshme e të pritur, e cila po vazhdon pandërprerë, me donacionet tuaja për Fondin e Sigurisë.
Jemi të vetëdijshëm se ky projekt i yni i përbashkët me ju, ka tendenca të pengohet për çka jemi të detyruar të ju rikujtojmë:
• Paratë tuaja deponohen përmes llogarisë zyrtare të Fondit të Sigurisë, në Bankën Qendrore të Kosovës;
• Ky proces është nën mbikëqyrjen e Qeverisë përmes Ministrisë së Financave, respektivisht Thesarit të Shtetit;
• Donacionet dhe shuma e mjeteve janë plotësisht mbi bazën e vullnetit tuaj të lirë;
• Paratë depononi personalisht direkt në Fondin e Sigurisë;
• Asnjë individ, grup, shoqatë apo iniciativë nuk është e autorizuar të mbledhë para në emër të Fondit të Sigurisë.
Ju e dëshmuat dhe po e dëshmoni si gjithmonë se jeni mbështetja kryesore e jona.
Ju ishit gjithmonë dhe jeni edhe tani logjistika kryesore jo vetëm e Ushtrisë, por edhe e sigurisë së përgjithshme, zhvillimit dhe forcimit të shtetit tonë.
Prandaj, ju ftoj që të vazhdojmë së bashku me kontributet tona në Fondin e Sigurisë, për Ushtrinë tonë dhe të gjitha institucionet tona të sigurisë së vendit.
Donacionet tuaj janë motivi dhe forca jonë e përbashkët.
Ju faleminderit!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diego Simeone ka thënë se nuk ishte në dijeni që…