Ministria e Jashtme ua ndërprenë marrëdhënien e punës 11 punonjësve

16 mars 2022 | 12:04

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se pas një analize të detajuar ligjore, sot ka ndërprerë marrëdhënien e punës 11 punonjësve të kësaj ministrie.

“Ky vendim është marrë në vazhdën e masave për vendosjen e ligjshmërisë në administratën publike të Kosovës dhe anulimit të vendimeve të jashtëligjshme, të marra në të kaluarën. Personat e liruar sot nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në shërbimin e jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në shërbimin e jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të shërbimit të jashtëm përmes vendimeve arbitrare”, ka njoftuar MPJD-ja.

Kjo ministri ka njoftuar se është duke shqyrtuar edhe masat që duhet të ndërmerren ndaj zyrtarëve përgjegjës për punësimin e paligjshëm të personave të mësipërm.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen dhe luftohen me vendosmëri”, ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është miratuar në Kuvend Projektligji për Financimin e Subjekteve Politike.…