Policia apelon për kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik

16 mars 2022 | 14:34

Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.

Në kuadër të kësaj Policia e Kosovës, gjegjësisht Njësia për Kontrollin e Autostradave e mbështetur nga njësitë tjera të Divizionit të Komunikacionit Rrugor në vazhdim të implementimit të planeve operative aktive si “Siguria në Trafikun Rrugor” dhe “Shtimi i masave të sigurisë në trafikun rrugor”, gjatë një jave ka shqiptuar 1 380 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në trafik, ka konfiskuar një automjet për ndalje të parregullt në autostradë, ka larguar nga trafiku gjashtë automjete të tjera, ka konfiskuar përkohësisht dhjetë targa të automjeteve të paregjistruara, ka identifikuar pesë kundërvajtës duke drejtuar automjetet nën ndikimin e alkoolit si dhe 17 shoferëve iu është shqiptuar masë mbrojtëse ndalim i drejtimit të automjetit nga tre muaj deri një vit.

Përveç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar, të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës, për të pasur një siguri më të madhe në trafik.

Policia ka njoftuar se për të gjithë ata pjesëmarrës në trafik, e në veçanti për shoferët e automjeteve, të cilët bëjnë shkelje të ligjeve dhe rregullave të trafikut, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas ligjeve në fuqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar tri…