Kurti për “La Repubblica”: Vuçiqi është kukull e Putinit

21 mars 2022 | 11:24

Kur shikon fqinjin e tij përtej kufirit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 46 vjeç, nuk e sheh presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por ai e sheh “një kukull të Kremlinit” në qeverinë e një vendi që “imiton Rusinë”.

Ai e sheh një përpjekje për ta destabilizuar Ballkanin duke “përsëritur modelin” e Rusisë. Kështu ka shkruar gazeta italiane “La Repubblica”, e cila e ka intervistuar kryeministrin Kurti.

Kurti ka folur për lidhjen e Serbisë me Rusinë duke thënë se “BRSS është kthyer në një oktapod me Federatën Ruse në qendër dhe tentakulat e saj” si Donbasi, Krimea, Transnistria e Osetia e Jugut.

“Ish-Jugosllavia është një oktapod me Serbinë në qendër, entiteti serb në Bosnje, një subjekt politik në Mal të Zi që nuk e njeh pavarësinë e tij dhe strukturat ilegale në veri të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia e ka tronditur Kosovën, por Kurti tha se nuk është befasuar.

Sipas tij, Putini “nuk dëshiron të ulet për të negociuar me Zelenskiyn”, pasi, siç thotë Kurti, “ai dëshiron ta bëjë atë me Bidenin”.

“Ai e ndjen Stalinin dhe sheh Rooseveltin e tij në Bidenin”, ka thënë Kurti, duke shtuar se Putini “dëshiron të rishkruajë historinë”.

“Lufta në Ukrainë, ku ai nuk po arrin rezultate të mëdha, nuk do të jetë e mjaftueshme për të: ai do të duhet ta zgjerojë atë nëse dëshiron të merret me Bidenin. Kjo është arsyeja pse ne jemi të shqetësuar: Ballkani Perëndimor është një rajon ku ai mund të përpiqet ta bëjë dhe ai mund të përdorë armë kimike siç ka bërë tashmë në Siri”, ka thënë Kurti.

Duke treguar se shtetet përreth Kosovës, me përjashtim të Serbisë, janë të anëtarësuara në NATO, Kurti ka treguar se këtë e synon edhe Kosova, duke theksuar se “ne llogarisim në ndihmën e Italisë”.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se Serbia “dëshiron para evropiane dhe armë ruse”.

“Edhe gazin rus, të cilin e merr me një çmim të volitshëm, por në fakt shumë të shtrenjtë: të jetë kukulla e Kremlinit. Vitin e kaluar Kosova mori pjesë me 350 ushtarë në stërvitjen më të madhe të NATO-s, ‘Defender Europe 21’. Serbia në vend të kësaj mori pjesë me Rusinë dhe Bjellorusinë në ‘mburojën sllave’”, ka thënë ai.

Serbia, sikur Rusia e Bjellorusia “kanë mite mesjetare, pansllave dhe shumë të errëta”, ka thënë Kurti.

“Ata ju akuzojnë se e trajtoni pakicën serbe ashtu siç u akuzuan ukrainasit për pro-rusët në Donbas. Presidentit Putin i pëlqen të mistifikojë ndërhyrjen e NATO-s për ta justifikuar hegjemoninë ruse”, ka thënë Kurti.

Kurti në këtë intervistë ka komentuar edhe faktin që Putini e ka përmendur Kosovën për ta arsyetuar pushtimin e Ukrainës.

“Ne kishim zgjedhje në Kosovë dhe një referendum gjatë okupimit serb, por referendumet në Krime dhe Donbas ishin shumë të ndryshme: kutitë e votimit ishin në duart e ushtarëve të armatosur rusë. Pastaj ishte OKB-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare që e bëri të qartë se pavarësia nuk e cenon të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Kurti ka vlerësuar se “ka elementë që mund të na bëjnë tq parashikojmë të ardhmen”. Ai ka folur për shpenzimet e Serbisë në armatim, duke përmendur se ka pasur “dy programe të përbashkëta ushtarake midis Rusisë dhe Serbisë”.

“Qendra e ‘Sputnik’ në Ballkan është në Beograd dhe 160 kilometra nga Prishtina është ‘qendra humanitare’ ruse: ato janë zemra e luftës hibride në Ballkanin Perëndimor, dhe siç e kemi parë, kjo nuk është zëvendësim i luftës: është përgatitje e saj”, është shprehur Kurti.

I pyetur për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, Kurti ka thënë: “Ata bënë luftë të fortë me Serbinë, ne patëm dy mijë dëshmorë. Është e pabesueshme të kesh politikanë të lartë të Kosovës në burg që luftuan për liri”.

Ai ka thënë se ndërsa kjo ndodh, Vuçiqi, ministër i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit, bashkëpunon ngushtë me Putinin.

“Është një nga paradokset evropiane”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. asoc. dr. Ardit Bido Drejtor i DPA-së   Këtë…