Vetëvendosje kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti

21 mars 2022 | 13:47

Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta përkrahë iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale në Fondin Pensional të Kursimeve të Kosovës (Trust).

Kështu ka deklaruar të hënën para mediave shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Sipas saj, ka forma të tjera që qytetarët mund të ndihmohen për ta tejkaluar krizën ekonomike, por tërheqja e kursimeve nga Trusti, nuk është asgjë tjetër veçse “koncept ku hahet e ardhmja në dobi të tashmes”.

“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Sepse vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65-vjeçare. Na mbetet të diskutojmë me opozitën për modalitete tjera të ndihmës për qytetarët”, ka thënë ajo.

Më tutje, Kusari-Lila ka folur edhe për punën e Qeverisë Kurti, teksa ka thënë se viti i parë është karakterizuar me rritjen e ekonomisë dhe “suksesin e arritur në sistemin e drejtësisë”.

“Nesër bëhet një vit që prej ne kemi marr mandatin. Ka qenë një vit dinamik që u karakterizua me efektet e pandemisë. Vit që ka shënuar progres në rritjen ekonomike, vit i cili ka hap mundësi të reja për vitin që jemi dhe që vjen. Ka pasur një mori të agjencive që ka pasur pa borde. Në aspektin legjislativ, 109 projektligje i janë proceduar kuvendit për miratim”, ka thënë Kusari-Lila.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykimi për vepra penale lidhur me pengimin e administrimit të…