Mehmeti: Masat e ndërmarra nga BQK-ja u treguan efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar

22 mars 2022 | 12:07

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) ka prezantuar raportin e tranzicionit 2021-2022.

Në fjalën përshëndetëse të këtij aktiviteti, guvernatori i Bankës së Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se masat e ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë.

Mehmeti ka thënë se këto dy vjet ishin mjaft sfiduese për sistemin financiar dhe ekonominë.

“Masat e kujdesshme të ndërmarra nga BQK-ja janë treguar shumë efektive në ruajtjen e stabilitetit financiar për ekonominë. Sektori bankar arriti të ruajë qëndrueshmëri të lartë. Aktualisht norma e kredive qëndron 2.3 për qind ndërsa norma vjetore 15.7 për qind. Vetëm gjatë vitit 2021 janë lëshuar 1.8 miliardë euro kredi të reja. Në rend të parë është stabiliteti financiar”.

“Në anën tjetër jo vetëm që ka tejkaluar krizën por ka marrë rol kyç për rritjen ekonomike. Prandaj prioriteti është që bankat të ruajnë qëndrueshmërinë. Ekonomia ka shënuar rikuperim gjatë vitit 2021 me 10.5 për qind, ku ndër kontribuuesit është edhe sektori bankar. Një ekonomi që të funksionojë mirë duhet të jetë konkurrues, gjithëpërfshirës dhe e qëndrueshme. Vëmendje të veçantë raporti i kushton digjitalizimit. BQK-ja ka bërë hapa të rëndësishëm në liberalizimin e tregut dhe është duke punuar në draft ligjin në sistemin e pagesave”, ka thënë Mehmeti.

Ndërsa Neil Teylor, udhëheqës i Zyrës së BERZh-it, ka thënë se vitin e kaluar kanë ndihmuar kompanitë me mbi 15 milionë euro, të ndara në 109 projekte zhvillimore.

Në anën tjetër, Ana Kresic, ekonomiste në BERZh, ka thënë se raporti i tranzicionit përbëhet nga dy pjesë, digjitalizimi dhe përmbledhja e zhvillimeve makroekonomike.

“Pas pandemisë kemi pasur një rritje sa i përket ekonomisë. Një trend i mirë ishte një rimëkëmbje e fuqishme me 10.5 për qind dhe ka tejkaluar pritjet tona. Rimëkëmbja vitin e kaluar ishte më e fuqishmja në Kosovë. Edhe për këtë vit prognoza është mjaft pozitive. Konkretisht pas arritjes së diasporës gjatë periudhës së verës. Eksportimi i mallrave është dyfishuar në vitin 2021”, ka thënë ajo.

Më tutje, Zsoka Koczan, ekonomiste e lartë në BERZh, ka thënë se raporti i prezantuar të martën në përqendrohet në ndarjen digjitale.

“Raporti shtjellon parakushtet dhe shkathtësitë digjitale dhe kjo ndarje digjitale përputhen me hendeqe tjera. Niveli i zhvillimit ekonomike dhe digjitalizimi janë të lidhura”, ka thënë Koczan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, dhe kryeshefi ekzekutiv…