Pesë ndeshjet e mbetura, përgatitje për kualifikimet e ardhshme

22 mars 2022 | 16:53

Përfaqësuesja e Kosovës U21 e ka mbajtur stërvitjen e dytë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet kundër Sllovenisë për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023.

Për dallim nga stërvitja e së hënës, e cila më shumë ishte regjenerim për lojtarët, stërvitja e ditës së martë ishte me punë intensive, ku drejtori teknik Albert Bunjaki, i cili po e udhëheq ekipin, ua ka transmetuar lojtarëve filozofinë e tij të lojës dhe atë çfarë pret nga ta në dy ndeshjet e radhës. Para stërvitjes Bunjaki ka mbajtur një konferencë për medie, ku i pranishëm ishte edhe kapiteni Edvin Kurtulush. Bunjaki ka thënë se synimi i tij në pesë ndeshjet e mbetura të kualifikimeve për Evropianin 2023 është që të grumbullohen 40 deri 50 për qind e pikëve në dispozicion por, sipas tij, qëllimi kryesor është përgatitja e ekipit për kualifikimet e ardhshme që nisin në pranverën e vitit 2023.

“Nga 23 lojtarë të ftuar në këtë grumbullim, 11 prej tyre kanë të drejtë loje në kualifikimet e ardhshme dhe këtu është edhe fokusi ynë. Pra, ndërtimi i një ekipi kualitativ për ciklin e ardhshëm kualifikues”, ka thënë Bunjaki.

Ai e ka vlerësuar Slloveninë si kundërshtare shumë të fortë fizikisht, por ka thënë se këto dy ndeshje do të jenë shumë motivuese për të dhe për lojtarët. Ndërkaq, kapiteni i ekipit, Edvin Kurtulush, ka shprehur optimizëm para këtyre dy ndeshjeve.

“Do të përpiqemi ta përgatitim sa më mirë gjeneratën e re për kualifikimet e ardhshme dhe për t’u kualifikuar në Evropian. Besoj se me këtë ekip që kemi dhe me trajnerin aktual do të bëjmë punë të mirë”, ka thënë Kurtulush.

Në këtë grumbullim mungon Ismet Lushaku, i cili nuk ka udhëtuar fare pasi ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në aktivitetin e performancës…