Viti i parë i qeverisjes, Kurti: Ishte vit i kthesës drejt zhvillimit

23 mars 2022 | 17:33

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka mbajtur mbledhjen e rregullt, në të cilën janë miratuar në total 28 vendime, prej të cilave katër projektligje, dy udhëzime administrative, shtatë nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe dy raporte.

Kryeministri Albin Kurti në këtë mbledhje fjalimin e ka fokusuar në njëvjetorin e marrjes së mandatit qeverisës. “Sot bëhet një vit prej se qytetarët me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhje dhe votën e tyre plebishitare i patën zgjedhur qeverinë dhe institucionet e reja, me ç’rast, përafërsisht në këtë orë, saktësisht para një viti, më 22 mars 2021, ne morëm detyrën e re”, u ka thënë Kurti ministrave në mbledhjen e qeverisë.

Sipas tij, qytetarët votuan para një viti për riorientimin demokratik dhe evropian të shoqërisë sonë, votuan për luftën ndaj korrupsionit institucional dhe financiar, votuan për rikthimin e virtyteve në institucione që shpërndajnë barazi dhe drejtësi, votuan për kthimin e aftësisë në bordet që administrojnë burimet ekonomike dhe njerëzore, votuan për rritjen e punësimit dhe shpërndarjen me të drejtë të punës sipas aftësive dhe kualifikimit, votuan për forcimin e ushtrisë dhe, sipas tij, votuan për rritjen e ekonomisë së buxhetit e të forcimit të shtetit e sovranitetit.

Kryeministri ka thënë se gjatë një viti të punës ky kabinet qeveritar ka marrë 581 vendime.

“Sot i tejkalojmë 600 sosh, ku proceduam 128 projektligje, ku sot i kalojmë edhe 130, më shumë sesa çdo qeveri tjetër paraprake në vitin e parë të saj. Përgjatë një viti kemi naviguar nëpër kriza botërore, të cilat kanë testuar jo vetëm aftësinë tonë qeverisëse, por edhe qëndrueshmërinë tonë shoqërore. Së bashku kemi menaxhuar pandeminë Covid-19 me masa, të cilat kanë ruajtur edhe shëndetin publik të qytetarëve edhe shëndetin e ekonomisë sonë publike e private, duke e shënuar numrin më të ulët të vdekjeve në rajon e numrin më të lartë të vaksinimit. Së bashku kemi përmbushur zotimin, që brenda vitit të vaksinojmë mbi 60 për qind  të popullsisë së vaksinueshme dhe sot kemi hapur ekonominë, jetën shoqërore dhe ngjarjet kulturore dhe sportive që na kanë munguar shumë gjatë”, deklaruar Kurti.

Ai ka theksuar se krahas pandemisë kishin edhe krizën e energjisë, e cila, sipas tij, ende s’ka kaluar. “Së bashku kemi marrë masat emergjente duke subvencionuar koston shtesë në mënyrë që kriza të mos i rëndojë ata që fitojnë më së paku”, është shprehur Kurti. Ai ka thënë se problemet që kanë trashëguar janë të mëdha, megjithatë u ka bërë thirrje për punë ministrave. “S’ka dyshim se problemet që kemi trashëguar janë të mëdha e sfidat që i kemi përpara janë edhe më të mëdha. Mirëpo, qytetarët na kanë besuar ta bëjmë ndryshimin. Ky ishte vit i kthesës drejt zhvillimit”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri Kurti ka thënë se ky vit i qeverisjes ishte vit i zhvillimit ekonomik dhe i investimeve.

“Ishte vit i reformave në drejtësi, vit i luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe vit i kursimit edhe i mirëmenaxhimit. Viti i parë i qeverisjes sonë ishte edhe vit i departizimit dhe rimëkëmbjes së ndërmarrjeve publike dhe mbrojtjes së pasurisë së Kosovës. Po ashtu, ishte edhe vit i investimit në arsim dhe në bujqësi”, ka deklaruar ai, duke theksuar më tutje se ishte edhe një vit i reformimit të diplomacisë. “Ishte vit i investimeve në mbrojtje dhe në ushtrinë e Kosovës. Është rritur buxheti për ushtrinë në vlerë prej 100 milionë eurosh. Janë rritur kapacitetet operacionale dhe profesionale të FSK-së”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ai u është drejtuar edhe me një mesazh ministrave.

“Pra, të nderuar anëtarë të kabinetit qeverisës, këto janë vetëm disa nga veprimet e shumta të cilat e kanë bërë kthesën e madhe drejt zhvillimit, drejt drejtësisë në vitin e parë qeverisës. Punët i kemi bërë në dritën e diellit, pa asnjë skandal, me transparencë e llogaridhënie të paparë ndonjëherë në 20 vjetët e fundit. Andaj unë ju falënderoj të gjithë dhe ekipet në ministritë përkatëse për këtë rezultat shembullor në vitin e parë të qeverisjes sonë. Pra nevojitet edhe një vit tjetër që të mbërrijmë në gjysmë të mandatit, andaj kemi shumë punë në këtë vit, në përputhje me atë punëtorinë që e kemi zhvilluar në fillim të vitit. Por nuk ka dyshim që me vullnetin që kemi, me dijen që kemi, me përvojën që kemi fituar, nuk ka sfida të cilat nuk do t’i kalojmë së bashku për hir të popullit, shtetit e kombit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Një ditë më parë tre liderët e partive opozitare, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, ia kanë numëruar Albin Kurtit dështimet për një vit qeverisjeje të vendit. Liderët opozitarë kanë thënë se kjo qeveri është treguar e paaftë në të gjithë sektorët. Sipas tyre, kjo qeveri ka dështuar në ekonomi, në arsim, në politikën e brendshme dhe në atë të jashtme. Ata e kanë kritikuar qeverinë Kurti edhe për menaxhimin e keq të pandemisë.

Më 22 mars të vitit të kaluar me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës pati zgjedhur qeverinë e re, të udhëhequr nga Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suedia i ka dërguar Ukrainës 5 000 minahedhës krahu. Kjo…