Yushchenko: Po e bëjmë luftën e 25-të me Rusinë, s’mund të dorëzohemi

24 mars 2022 | 11:27

Ish-presidenti ukrainas, Viktor Yushchenko, ka folur për Vladimir Putinin, luftën e tij për jetë pas atentatit, luftën dhe vuajtjet e Ukrainës, si dhe përgjigjen e Perëndimit ndaj agresionit rus e armëve bërthamore.

I pyetur nëse është i sigurt dhe sa larg nga vijat e para, Yushchenko ka thënë se është i lumtur që mund të komunikonte me Kroacinë përmes televizionit “N1”.

“Sot ne po bëjmë përsëri luftë me pushtuesin tonë mizor, me fqinjin tonë mizor, me Rusinë. Se Rusia ka sjellë një ushtri dhe pa shumë mëshirë qëllon. Ka shumë pyetje se si mund të përfundojë kjo luftë. Unë argumentoj se lufta do të përfundojë kur do ta dëbojmë ushtarin e fundit rus nga territori i Ukrainës”.

“Putini mund ta udhëheqë në fazën e dytë në zonat administrative të atyre provincave, por pakkush me mendje të shëndoshë mund të kishte menduar se ai do të hapte një luftë nga fronti i Bjellorusisë, do ta bllokonte Detin e Zi dhe se viktimat e agresionit do të ishin Odesa, Kherson, Mykolaiv. Mendja e shëndoshë nuk mund ta kuptonte këtë”, ka thënë ish-presidenti ukrainas.

I pyetur për sa kohë mund t’i rezistojë Ukraina agresionit rus, Yushchenko është përgjigjur me një kundërpyetje: “Sa mund të durojë Evropa?”.

“Është një provë për çdo komb, por Ukraina është e bashkuar sot dhe në atë unitet e lufton armikun, kjo e pengon më së shumti. Është e qartë se sot kemi një solidaritet ndërkombëtar, i cili nuk ekzistonte 10 apo 20 vjet më parë. I saktë do të ishte interpretimi se e gjithë bota po punon kundër Rusisë sot, sepse ky është ideali i fashizmit që u shfaq në shekullin e 21-të”, ka thënë Yushchenko.

Gjatë mandatit të tij, ai është takuar disa herë për Putinin dhe ka komentuar akuzat për çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës.

“Ne sot po bëjmë luftën e 25-të me Rusinë. Vetëm në shekullin e kaluar kemi shpallur pavarësinë gjashtë herë. Është si të dorëzohemi në mëshirën e të pamendëve… Kur flasim për denazifikimin është e qartë se Putini është një problem për të gjithë botën”.

“Populli rus është po aq i sëmurë sa Putini, sepse nëse një numër i madh i rusëve votojnë për luftë kundër Evropës, ky është një problem i madh. Unë e kuptoj që ka një grusht njerëzish besnikë, të arsyeshëm, por duhet të themi se jeta në shekullin e 21-të pranë njerëzve të tillë është një provë për të gjithë ne”, ka thënë ish-presidenti ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShBA) ka njoftuar…