![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/03/mehaj-2.jpg)
Mehaj: Kosova është e sigurt, nuk biem pre e kërcënimeve
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është e sigurt dhe se nuk bie pre e kërcënimeve apo shantazheve.
Ai ka thënë se Serbia ka për qëllimin destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.
Sipas tij institucionet e Kosovës e kanë situatën e sigurisë nën kontroll.
Në një konferencë për media, Mehaj ka folur për punën njëvjeçare të ministrisë që ai drejton dhe ka theksuar se po punojnë për anëtarësimin e vendit në NATO, por për këtë ka theksuar nevojën e mbështetjes nga shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
“Kosova i ka institucionet e veta të sigurisë. Ne i përcjellim ngjarjet jo vetëm në rajon, por edhe jashtë rajonit. Gjeopolitikisht situata ka ndryshuar në shumë vende. Ne nuk bimë pre e fjalëve, kërcënimeve, shantazheve të rreme siç ka bërë Serbia në tërë këto vite. Ne e mbajmë gjakftohtësinë. Kosova është e sigurt, i ka institucionet e sigurisë dhe ne jemi në bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in”.
“Siç kanë thënë pleqtë duhet me u përgatitë për më të keqen e me shpresu më të mirën. Organet tona të sigurisë kanë kontrollin e duhur. Policia është në dijeni, inteligjenca policore, doganat e AKI-ja, i kanë informatat e duhura dhe ndërmarrin veprimet e duhura”, ka thënë Mehaj.
Sot në veri të Kosovës serbët kanë protestuar kundër moslejimit të mbajtjes se zgjedhjeve të 6 prillit.