Kurti takohet me drejtuesit e OVLUÇK-së, bisedojnë edhe për pastrimin e listave të veteranëve

25 mars 2022 | 16:20

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim ushtruesin e detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Faton Klinaku, së bashku me kryetarët e disa degëve të kësaj organizate.

Ky takim vjen në kohën kur kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së, por rreth 20 mijë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti ka theksuar përkushtimin e qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me OVLUÇK-në, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të luftës.

Kurti ka shprehur gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.

Ndërsa përfaqësuesit nga OVLUÇK-ja  kanë paraqitur kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.

Po ashtu në këtë takim është diskutuar edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit e OVLUÇK-së janë shprehur të gatshëm për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë e Kosovës.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Aziz Bici, këshilltar i kryeministrit për çështje të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është biseduar edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar për hapjen e…