Telekomi u ofron pensionim të “dhunshëm” punëtorëve të vet

25 mars 2022 | 23:00

Zyra për Relacion me Publikun i Telekomit të Kosovës sot u ka dërguar një e-mail jo fort të zakontë, të gjithë punonjësve të vet, e ku janë njoftuar për “reformimin e tërësishëm dhe substancial” brenda këtij institucioni.

Telekomi i ka paralajmëruar punonjësit e vet se pas ristrukturimit mund të mos kenë më perspektivë në strukturën e re organizative.

“Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional, apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartëpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme”, thuhet në e-mailin e dërguar punëtorëve të Telekomit.

Ata arsyetohen se nuk duan t’ua humbasin perspektivën punëtorëve, të cilët nuk do të përshtaten me ristrukturimin, duke shtuar se duke mos i informuar me kohë për të vërtetën ua shkelin edhe të drejtat.

“Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë”, thotë njoftimi i siguruar nga Epoka e re.

Kjo, sipas tyre, ka qenë edhe arsyeja pse punëtorëve iu kanë ofruar mundësinë për pensionim të parakohshëm apo edhe shkëputje vullnetare të kontratës së punës duke përfituar benefite të caktuara.

Ata që firmosin për t’u pensionuar para kohe do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim, derisa ata që vullnetarisht ndërpresin marrëdhënien e punës do të marrin 24 paga bruto përnjëherë.

Kjo kompani iu ka thënë punëtorëve të saj se kjo ofertë për ta – e cilësuar si pako dalëse – e ka një limit kur përfundon. Nis nga 25 marsi dhe zgjat veç një muaj, deri më 25 prill.

E ata që nuk do të zgjedhin asnjërën nga mundësitë e kësaj pako dhe bëhen pjesë e strukturës së re organizative, Telekomi i ka paralajmëruar se “duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës”.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar/a punonjës/e të Telekomit të Kosovës sh.a.,

Sikurse jeni të informuar, Telekomi i Kosovës sh.a. është duke ndërmarrë një reformim të tërësishëm dhe substancial. Në vazhdën e kësaj, një prej reformave substanciale është edhe ristrukturimi/riorganizimi i strukturës organizative të Telekomit. Struktura e re duhet t’u prijë me profesionalizëm proceseve të kompanisë në të ardhmen, të cilat nuk do të jenë të thjeshta dhe të lehta.

Të fokusuar për të balancuar nevojat e punëtorëve në njërën anë, si dhe vështirësitë dhe kërkesat e kompanisë si afarizëm në anën tjetër, në menaxhment dhe në Bord të Drejtorëve jemi duke analizuar të gjitha format e mundshme të reagimit proaktiv. Është evidentuar se kompania në vazhdimësi ka pasur kërkesa nga punëtorët e saj për pensionim të parakohshëm. Para aksionarit kemi paraqitur rëndësinë për të na ndihmuar në akomodimin e kësaj kërkese. Në vazhdën e reformave kemi kërkuar mbështetje për t’u aprovuar një program i tillë, i cili përfshin dy mundësi për punëtorët:

a. Pensionimi i parakohshëm për personat të cilët/at dalin në pensionim gjatë viteve kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026, si dhe

b. Marrëveshje vullnetare për ndërprerjen e kontratës së punës me benefitet e përcaktuara për punëtorin/en.

Lidhur me mundësinë e parë (a.):

Pakoja dalëse e përfituar do të jetë e nivelit 60% të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim, në bazë të së cilës do të kalkulohen dhe paguhen trusti si dhe tatimi në pagë.

Një shembull i kalkulimit: me bazë pagën neto 1000EUR.

 

Aktualisht për të marrë një pagë neto 1000€, paga bruto duhet te jete 1,143.62€. Pakoja do të llogaritet në 60% te pagës bruto aktuale, nga e cila del paga bruto sipas pakos prej 686.17€

Përshkrimi

Aktuale

Sipas Pakos

Paga Bruto

1,143.62

686.17

Paga Neto që merr punëtori

1,000.00

608.87

Trusti nga punëtori

57.18

34.31

Trusti nga Telekomi

57.18

34.31

Tatimi në pagë

86.48

42.99

Total pagesa nga Telekomi

1,200.84

720.48

 Lidhur me mundësinë e dytë (b.):

Duke qenë të njoftuar se procesi i ristrukturimit ka hyrë në fazën e tij përfundimtare, është menduar po ashtu edhe për mundësinë e ofertës për punonjësit e tjerë, të cilët pas ristrukturimit mund edhe të mos e gjejnë më perspektivën e tyre në strukturën e re organizative. Kjo, ngase detyrat dhe përgjegjësitë në fushëveprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë mund të mos përkojnë me profilin e tyre profesional, apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të duplifikuara edhe mund të shuhen. Nën kushte të tilla, kompania është e detyruar që t’ua thotë të vërtetën punëtorëve të saj të lartpërmendur dhe të mos ua humbasë perspektivën e tyre të mëtejme. Ushqimi i iluzioneve të rrejshme për punëtorët të cilëve kompania nuk mund t’u ofrojë më perspektivë pas ristrukturimit, është jo vetëm humbje e perspektivës për të njëjtit/at, por është edhe abuzim me të drejtat e tyre për të qenë të informuar drejtë dhe me kohë.

Për këtë kategori, alternativë e menduar është ofrimi i pakos dalëse e nivelit 24 muaj të pagës së tyre aktuale bruto. Edhe në këtë rast, nga paga bruto do të zbritet trusti dhe tatimi në pagë, të cilat Telekomi do t’i paguajë në emër të punëtorit, ndërsa punëtorit do t’i paguhen 24 paga neto përnjëherë.

Punëtorët e interesuar për këto pako vullnetare mund të plotësojnë dhe nënshkruajnë formularin e aplikimit, që i është bashkangjitur këtij emaili, dhe ta dorëzojnë në Zyrën e personelit, drejtoria e Burimeve Njerëzore, kati i 6-të, nr. 603, HQ, Prishtinë.

Kjo ofertë bëhet vetëm gjatë intervalit kohor 25 Mars 2022 deri më 25 Prill 2022, që përkon me periudhën para finalizimit të procesit të ristrukturimit. Pas kësaj date në kompani do të rianalizohen opsionet e tjera që gjithsesi nuk do të jenë kaq të volitshme.

Drejtoria e Burimeve Njerëzore, menjëherë pas mbylljes së afatit do të raportojë në menaxhment për numrin e saktë të kërkesave të pranuara, duke nënvizuar se sa prej tyre janë valide dhe me kritere të plotësuara. Pas analizimit, shqyrtimit dhe aprovimit, mund të nënshkruhet marrëveshja në mes të punëtorit/es dhe Telekomit të Kosovës sh.a. Më tutje, varësisht nga pako dhe sipas shpjegimit më lartë:

a.     pagesa e kalkuluar për muajt (vitet) e mbetura të marrëdhënies së punës do të procedohet për pagesë të menjëhershme.

b.    pagesa e kalkuluar për 24 muaj të marrëdhënies së punës do të procedohet për pagesë të menjëhershme.

Për sqarim:

Ju njoftojmë se Aksionari ka pranuar ofrimin e ndihmës financiare përmes sigurimit të pakove dalëse për punëtorët që vullnetarisht dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Natyrisht, kjo ofertë nuk vlen për punonjësit/et, për të cilët/cilat kompania ndër vite ka investuar në ngritjen dhe zhvillimin profesional të tyre ose/dhe i konsideron kategori të rëndësisë së veçantë në procesin vijues zhvillimor të kompanisë. Pra, kompania ruan të drejtën që jo të gjithë punonjësit/et që aplikojnë do t’ju mundësohet aprovimi i kërkesës për pako dalëse vullnetare.

Punëtorët që nuk do të përfitojnë nga ky program i pakove dalëse duhet të përgatiten për një rrugëtim me shumë punë, aktivitet dhe veprimtari të matshme me sistemin e ri të menaxhimit të performancës, që hyn në fuqi në kohën e miratimit të strukturës së re organizative.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk pret…