Kremlini: Bisedimet Rusi-Ukrainë mund të nisin nesër

28 mars 2022 | 13:52

Kremlini ka bërë me dije se bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen nesër (e martë) në Turqi,  dhe se sipas Moskës, është e rëndësishme që të ketë takime sy më sy, pasi siç tha ka pasur mungesë të përparimit në bisedime deri më tani.

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan është pajtuar që Stambolli të ishte nikoqir i rundit të ri të bisedimeve, që Turqia shpreson se do të çojë në një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë.

Turqia ka theksuar se bisedimet mund të nisin të hënën, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se ka pak gjasa që negociatorët të arrijnë në Turqi të hënën.

“Përderisa ne nuk mund dhe nuk do të flasim për përparim në bisedime, fakti qëndron se takimet sy më sy janë të rëndësishme”.

“Ne kemi politikë që të mos tregojmë informacione për bisedimet sepse mendojmë se vetëm mund të dëmtojnë procesin negociator”, ka thënë ai, shkruan “Rel”

Deri më tani, sipas Peskov, nuk është arritur ndonjë përparim në bisedimet me Ukrainën, apo për idenë për një takim të mundshëm midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndërsa edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka folur për takimin e mundshëm Putin-Zelensky. Ai ka thënë se do të ishte kundërproduktive që një takim i tillë të mbahej tani, duke shtuar se liderët duhet të takohen kur dy palët të arrijnë përparim në bisedime.

“Një takim ndërmjet Putinit dhe Zelenskyt është i nevojshëm sapo ne të jemi afër zgjidhjes së të gjitha çështjeve kyçe”, ka thënë Lavrovi gjatë një interviste për një media serbe.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Ndërkaq, më 25 mars, Moska bëri të ditur se do të fokusonte luftën e saj në rajonet lindore ukrainase, teksa inteligjenca perëndimore thotë se përparimi i trupave ruse ka ngecur gjerësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë lindur në Zvicër, por luajnë me Kosovën kundër Zvicrës.…