NATO-ja hap në vitin 2023 bazën e rinovuar ajrore të Kuçovës

30 mars 2022 | 12:55

Baza ajrore e Shqipërisë e erës komuniste pritet të kthehet në një stacion taktik për operacionet e NATO-s kur ajo të rihapet në vitin 2023.

Shpenzimet ushtarake janë tani në rritje në pjesën më të madhe të Evropës, sidomos në Gjermani por edhe në vendet e Ballkanit.

Tensionet janë në rritje edhe afër Shqipërisë. Kroacia, e cila është vend anëtar i NATO-s dhe Serbia që kundërshton aleancën, duket se janë në një garë të vogël ushtarake,

Serbia po rinovon aeroplanët MiG-29, tanket dhe sistemin anti-raketë nga Rusia, kurse Kroacia ka blerë 12 avionë luftarakë ‘Rafale’ nga Franca.

Puna për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës ka nisur në janar.

Qëllimi është që të kthehet në një qendër operacioni për të pritur avionët modernë luftarakë.

NATO dhe Shqipëria do të investojnë 50 milionë euro për këtë qendër që ndodhet 85 km në jug të Tiranës.

Qyteza e vogël u quajt ‘Qyteti Stalin’ gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.

Baza ajrore u ndërtua në vitet 1950-të duke përdorur të burgosurit si punëtorë.

Enver Hoxha ndonëse ishte komunist, ai ishte armiqësor me Bashkimin Sovjetik, Kinën dhe Jugosllavinë pas Luftës së Dytë Botërore duke e kthyer Shqipërinë në një shtet të izoluar.

Gjatë asaj periudhë, Shqipëria quhej gjerësisht si ‘Koreja e Veriut e Evropës’.

Viktor Vangjeli, 83 vjeç, ka shërbyer për 27 vjet në Kuçovë si pilot për avionët MiG-19.

Ai tregon për gazetarin e Euronews, Daniel Bellamy, se kryente fluturime çdo ditë për t’u kundërpërgjigjur shkeljes së hapësirës ajrore nga fqinjët gjatë Luftës së Ftohtë.

“Fluturimet ishin shumë intensive gjatë Luftës së Ftohtë”, tregon ai duke shtuar se deri në 1962 mbulonte të gjithë hapësirën ajrore të vendit.

Sipas tij modernizimi i bazës do të sjellë përfitime për gjeneratën e re të pilotëve shqiptarë pasi do të kenë mundësi të trajnohen me avionë modernë.

Pas rrëzimit të regjimit komunist në 1990, ushtria shqiptare kishte më shumë se 200 avionë – shumica të modelit MiG – në tre baza të saj ajrore.

Shumica e tyre tashmë janë për skrap pasi në vitin 2005 u vendos që të ndalohej fluturimi i avionëve të vjetër rusë dhe kinezë.

Për disa vite, avionët ‘Antonov AN-2’, të periudhës sovjetike me një motor, u përdor për agrokulturë.
Forca Ajrore shqiptare ka tani disa helikopterë – shumica ‘Bells’ dhe ‘Eurocopters’ dhe pritet të marrë disa të rinj ‘Blackhawk’, por jo avionë luftarakë.

Shqipëria, anëtare e NATO-s që prej 2009-s, shpreson gjithashtu të bëhet pjesë e BE-së.
Ajo i është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë dhe ka denoncuar fort agresionin e Kremlinit.

(Euronews Albania)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kremlini ka minimizuar shpresat se është arritur përparim pas bisedimeve…