Berisha ngushton drejtorin e Policisë: I kam pru pyetjet që ua keni qitë në test të rinjve, nëse dini me i zgjedhë

01 prill 2022 | 11:35

Kryetari i Komisionit për Mbrojtje dhe Sigurisë, Bekë Berisha i ka reaguar drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti që tha se pyetjet e testit për rekrutë në polici ishin të lehta dhe të karakterit të shkollës fillore dhe asaj të mesme.

Berisha tha se ato pyetje nuk dinë t’i zgjedhin as deputetët.

Më tutje, deputeti i AAK-së tha se testi është hartuar nga profesor që i shërojnë komplekset e tyre.

“E potencove disa herë që pyetjet e testin kanë qenë të lehta. Unë ja u kam pru disa herë deputetëve pyetjet edhe me i pru sot këtu nuk e di a dini me i zgjedh. Ne, ju , këta ndërkombëtarët e krejt. Arbëri nuk i ka zgjedh. Jemi tu fol për rekrut. Djem e vajza që janë të rinj. Dihet se çfarë niveli të arsimimit kemi, se jemi në listë në fund dhe me i ngarkua aq shumë ata, me profesorë e asi që po i shërojnë komplekset e veta”, deklaroi ai.

Një kundërpërgjigje Berishës i erdhi nga drejtori i policisë Mehmeti.

Ai ka thënë se është problem nëse një zyrtar policor nuk dinë gjuhë shqipe dhe matematikë.

“Është me rëndësi që të kemi policë që dinë me shkruar shqip dhe që dinë matematik që duhet. Nëse dikush nuk e dinë gjuhën shqipe është pak problem na me e mësuar me trajnime. Nëse dikush në matematikë nuk dinë me mbledh, zbrit e shumëzua, vërtetë është problem për shkak se ne nuk kemi kapacitet ta mësojmë dikë drejtshkrim. Trajnerët tanë dinë me i mësuar qysh me përdor armën, qysh me arrestuar dikë por trajnerët tanë e kanë problem me mësuar gjuhë shqipe apo matematikë”, tha Mehmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava në mesazhin…