Për 21 vjet u shkatërruan mbi 100 mijë mina

04 prill 2022 | 14:44

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka marrë pjesë në Ditën Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave, në Parkun e Lirisë në Ferizaj.

Gjatë fjalës së tij, Mehaj ka thënë se specialistët e deminimit, janë heronjtë tanë.

“Në këtë ditë të veçantë për specialistët e deminimit dhe asgjësimit të mjeteve të pashpërthyera, shpreh edhe njëherë mirënjohjen dhe vlerësimin maksimal për heronjtë e ditëve tona. Specialistët e deminimit, vërtetë janë heronjtë tanë sepse, pandërprerë, edhe 23 vjet pas lufte, ata janë ende në vijën e parë, përballë minave dhe mjeteve tjera të pashpërthyera, që ne të tjerët të jemi të mbrojtur dhe të sigurt”, ka thënë Mehaj.

Ai ka theksuar se deminerët e FSK-së, KFOR-it dhe organizatave tjera janë profesionalë, vigjilentë dhe të guximshëm, dhe, sipas tij, ajo që i bënë të veçantë është se, me misionin e tyre fisnik e lartësojnë uniformën ushtarake, si dhe e konfirmojnë betimin se mbi të gjitha është: Detyra, nderi dhe atdheu.

Mehaj ka pohuar se deminerët për 21 vjet detektuan dhe shkatërruan mbi 100 mijë mina e mjete të tjera të rrezikshme, pastruan mbi 60 milionë m2 terren të afektuar nga minat në afro 4500 pika të rrezikshme.

“Me ligjëratat e realizuara në shkollat e Kosovës për vetëdijesim të fëmijëve ndaj minave dhe mjeteve piroteknike, Kompania e Deminimit ka arritur që të edukojë rreth 50 mijë nxënës në afro 1000 shkolla. Urime edhe njëherë në këtë datë të veçantë, duke ju inkurajuar që të vazhdoni me misionin të shenjtë dhe sukseset tuaja të përhershme. Nga pozita ime do të kenë gjithmonë mbështetjen e plotë për secilën çështje me interes për mirëqenien e tyre si dhe realizimin sa më të mirë të misionit të shenjtë”, ka deklaruar ministri Mehaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Shqipërisë dhe ish-deputeti Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka…