“Kosova duhet të ketë kryeprokuror që drejtësinë e ka udhërrëfyes”

04 prill 2022 | 16:31

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media ka folur edhe për emrin për kryeprokuror të shtetit, i cili do t’i propozohet nga Këshilli Prokurorial.

Ajo ka thënë se zyrtarisht, ende nuk i është propozuar një emër, por ka thënë se kushdo që emërohet, drejtësinë duhet ta ketë udhërrëfyes.

“Sikurse për çdo emërim tjetër, por në veçanti në këtë emërim integriteti duhet të dëshmohet, jo vetëm të flitet për të,  integriteti për gjatë tërë karrierës së personit që do të propozohet, për gjatë tërë karrierës në sistemin e drejtësisë duhet të dëshmohet dhe në këtë drejtim do të bashkëpunoj edhe me shoqërinë civile për t’i trajtuar brengat që i kanë ngritur por edhe me akterët e tjerë që Kosovë të ketë kryeprokuror dikë që e ka drejtësinë dhe vetëm drejtësinë udhërrëfyes në punën e vet”, ka thënë ajo në një konferencë për media në lidhje me punën njëvjeçare në krye të shtetit.

Më tutje, Osmani ka thënë se do të bashkëpunojë me të gjithë akterët për t’u siguruar që gjatë këtij procesi do të ruhet ligjshmëria.

“Mungesa e suksesit, mungesa e respektimit të parimeve të depolitizimit, të mungesës së ndikimeve politike dhe të tjera në sistemin e drejtësisë, natyrisht se paraqet pengesa edhe në çdo fushë tjetër, në qoftë se nuk kemi sistem të drejtësisë funksional, ku të gjitha janë të barabartë para ligjit, ku profesionalizmi dhe integriteti janë parimet themelore mbi të cilin merren vendimet, atëherë natyrisht se ne nuk mund të synojmë as investime të jashtme, as krijim të vendeve të reja të punës, as suksese në fushat e tjera, prandaj do të bashkëpunojmë me të gjithë akterët për t’u siguruar që do të ruhet integriteti, ligjshmëria dhe të gjitha parimet e tjera në këtë proces”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Muajt prill dhe maj do të kenë plotë ditë pushimi,…